Pjetër Shalës i zgjatet afati për ta dorëzuar dosjen e apelimit të urdhrit për zhdëmtim

Aktuale

Pjetër Shalës i zgjatet afati për ta dorëzuar dosjen e apelimit të urdhrit për zhdëmtim

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 11:05
Pjetër Shala

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që për mbrojtjen e Pjetër Shalës të zgjatet afati për dorëzimin e dosjes së apelit ndaj urdhrit për zhdëmtim të viktimave, i cili obligon të pandehurin që t’i paguaj 208 mijë euro dëmshpërblim.

Njoftimi për apel, mbrojtja e Shalës e kishte dorëzuar më 28 janar andaj afati i fundit ishte që dosjen ta dorëzonte me së largu deri më 28 shkurt. Por, ky afat është shtyrë deri më 14 mars 2025.

Ndryshe, Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.

Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, në kërkesën e dorëzuar më 28 janar 2025, thuhet se Paneli i gjyqtarëve ka gabuar duke e mbajtur përgjegjës Shalën për dëmin që nuk është shkaktuar nga veprimet ose mosveprime e tij.

Ndërsa, në pikën dy, Shala nëpërmjet mbrojtjes së tij, të kryesuar nga Jean-Louis Gilissen pretendon se paneli ka gabuar në përcaktimin e dëmshpërblimit, duke u bazuar në supozime për dëmet që viktimat mund të kenë pësuar, pa vlerësuar nëse këto mund të lidhen me veprimet e të pandehurit.

Në pikën tre, Shala pretendon se Paneli ka gabuar duke dhënë shpërblime kompensimi pa kërkuar prova të mjaftueshme për dëmet e pësuara. Si rrjedhojë, Shala pretendon se Paneli i gjyqtarëve ka supozuar kostot e trajtimeve mjekësore dhe humbjet financiare pa kërkuar të dhëna konkrete që të vërtetojnë këto humbje.

Ksisoj, Shala thotë se Paneli ka vepruar arbitrarisht, duke mos kërkuar vërtetimin e dëmeve dhe ka kundërshtuar jurisprudencën e njohur të GJEDNJ-së, që kërkon dëshmi të qarta për dëmet për të marrë kompensim.

Në pikën katër, Shala pretendon se Paneli ka gabuar duke caktuar një shpërblim joproporcional me gjetjet lidhur me rolin e tij në krimet për të cilat u dënua, duke shtuar faktin se ai është dënuar për pjesëmarrjen në ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Si rrjedhojë, mbrojtja pretendon se nuk është marrë në konsideratë aspekti financiar i Shalës si dhe ai është urdhëruar të paguajë dëmshpërblim të lartë.

Në pikën e pestë, mbrojtja e Shalës thotë se paneli ka gabuar duke vendosur përgjegjësi civile ndaj të pandehurit para se të përfundojë apelimi ndaj dënimit me burgim.Mbrojtja pretendon që nëse dënimi ndaj Shalës ndryshohet në Apel, atëherë urdhri për dëmshpërblim duhet të rishikohet dhe shumat financiare të përcaktuara duhet të rregullohen.

Si rrjedhojë, ata pretendojnë se duke pasur parasysh se dënimi nuk është ende përfundimtar dhe po shqyrtohet në Apel, është e drejtë që procesi për zhdëmtimin të ndërpritet derisa të përfundojë shqyrtimi i apelimit për dënimin.

Sipas tyre, kjo do të sigurojë që të drejtat e Shalës për një proces të drejtë të respektohen.

Ndryshe, më 29 nëntor 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguaj 208 mijë euro për viktimat si zhdëmtim.

Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim  ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat