Nis gjykimi në mungesë ndaj dy të akuzuarve për krime lufte

Aktuale

Nis gjykimi në mungesë ndaj dy të akuzuarve për krime lufte

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 13:37
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten është mbajtur seanca fillestare ndaj të pandehurve Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, të cilët në mungesë akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë majit të vitit 1999. 

Prokurorja Florije Salihu-Shamolli, në seancën e sotme, ua ka lexuar palëve në procedurë aktakuzën.

Meqenëse bëhet fjalë për një gjykim në mungesë, prokuroria dhe gjyqtari Rrahman Beqiri deklaruan se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet në kompetencën e tyre për të siguruar praninë e të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtja e të akuzuarve Rajkoviq dhe Deniq, avokatët Ljubinko Todoroviq dhe Milka Milosavljeviq, konfirmuan pranimin e dokumentacionit të nevojshëm, ndërsa gjykata i informoi të njëjtit se mund të paraqesin kundërshtimet e tyre ndaj provave dhe aktakuzës brenda 30 ditëve.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në 27 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, të cilët po akuzohen se si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë luftës në Kosovë, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Prishtinës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, morën pjesënë dëbimin e popullatës civile shqiptare, plaçkitjen e tyre, kryerjen e dhunës fizike dhe psiqike ndaj tyre.

Aktakuza thotë se me përdorimin e dhunës dhe veprimeve tjera çnjerëzore kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143, par.1, nënpar.1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat