Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav vizitoi të enjten Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë - sallën 1 Tetori, ku po numërohen votat e kandidatëve për deputetë.
“Vizitova sot Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku është duke vazhduar procesi i numërimit”, shkroi Orav në X.
Nga 258 kuti të rregullta të votimit, shtatë me kusht dhe 11 nga ekipe mobile sa gjenden në këtë qendër, janë numëruar 13 kuti me vota të kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, tetë prej tyre janë në proces, ka bërë të ditur më herët të enjten kryesuesja e Komisionit Komunal Zgjedhor në Prishtinë, Fatmire Bajrami.
Sot është dita e tretë prej kur ka nisur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, në Obiliq, në Lipjan dhe Partesh.
Këto ditë janë karakterizuar me telashe teknike, derisa sistemi ka rënë disa herë në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë. Kjo ka bërë që të ripërsëritet numërimi.
Përveç kësaj, edhe të martën kur ka filluar procesi, por edhe dje, është raportuar për përleshje në mes të vëzhguesve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Procesi i numërimit gjatë këtyre ditëve ka filluar me vonesë për shkak të telasheve teknike.
Përveç komisionerëve dhe vëzhguesve të subjekteve politike, të pranishëm në këtë qendër janë edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian.
Përveç në Prishtinë, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, njëkohësisht verifikimi i votave për subjekte politike, të martën ka filluar edhe në Obiliq, Lipjan dhe Partesh.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mërkurën ka njoftuar se ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike në 14 komuna të tjera.
Të mërkurën, procesi i numërimit ka filluar në Qendrat Komunale në Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut dhe Veriut, Skenderaj, Shtërpc, Viti, Vranidoll, Kllokot dhe Han të Elezit.
Ndërkaq, ende nuk është bërë e ditur se kur do të fillojë numërimi i votave në komunat e tjera.