Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar dëgjimi i dy dëshmitarëve, Liridon Ajazaj dhe Brendon Kurtaj në rastin e njohur si “Kobra” ku akuzohen Dibran Hoxha i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren. Të dy dëshmitarët thanë se nuk mbajnë mend thuajse asgjë për natën kritike pasi kanë qenë të dehur.
Në gjykatore me pranga në duar u soll i akuzuari, Dibran Hoxha i njohur me nofkën “Kobra”. Derisa të pranishëm ishin edhe të akuzuarit tjerë bashkë me mbrojtësit e tyre.
I pari që nisi dhënien e dëshmisë në seancën e sotme gjyqësore, ishte Liridon Ajazaj i cili fillimisht u shpreh se të akuzuarit i ka bashkëfshatarë, por nuk i njeh më konkretisht.
Ai gjatë gjithë dhënies së dëshmisë së tij e cila zgjatë më shumë se 30 minuta deklaroi se nuk mban mend asgjë pasi ka qenë i dehur.
“Normal i përmbahem deklaratës së Policisë...Diçka të kujtohet me siguri?....Dëshmitari: Nuk më kujtohet asgjë se kam qenë shumë i dehur, nuk mund të fajësoj askënd...Nuk më kujtohet asgjë kam thënë edhe në Policia jam kanë shumë i dehur tollovi ka ndodhur në lokal por nuk kam parë unë kam qenë shumë, shumë i dehur”, theksoi ai.
Me dëshminë e tij dhënë në hetuesi dëshmitarin Ajazaj e ballafaqoi prokurorja e rastit, Merita Rugova, ku atëherë kishte deklaruar se tre persona kanë bërë rrëmujë në lokal dhe janë fjalosur.
Më pas dëshmitari vazhdoi të thotë se ka qenë i dehur dhe nuk i kujtohet.
I pyetur nga prokurorja se kur e kishte parë Dibran Hoxha, dëshmitari deklaroi se atë e kishte parë në momentin kur kishte arritur edhe Policia pasi kishte ndodhur ngjarja.
“Ke deklaruar kështu unë kam vërejtur tre persona se kanë bërë rrëmujë në lokal dhe kanë hedhur shishe dhe karrige me një fjalë me dëmtua lokalin, tre persona janë fjalosur me stafin e ‘Kobra City”...Dëshmitari:Tollovi ka ndodhur çka ka ndodhur kush ka qenë nuk kam parë unë... nuk di çka ka ndodhur aty janë fjalosur çka di unë çka ka ndodhur e kush është fjalosur është aq shumë kam qenë i dehur sa nuk kam mundur me mbajtur vetën jam larguar nuk kam qenë as për të qëndruar në këmbë, kam pirë shumë... Ku je larguar... Dëshmitarja: Jam larguar nga lokali pasi ka ardhur Policia aty...Para se me ardhur Policia ku ke qenë.....Dëshmitari: Para se me ardhur Policia kam qenë në lokal, kemi qenë në tavolinë kur ka ndodhur afër banakut pastaj kam shkuar afër banjos aty”, theksoi ai.
Me pyetje karshi dëshmitarit, Liridon Ajazaj vazhdoi edhe mbrojtësi i Dibran Hoxha, Florent Latifi i cili po ashtu e ballafaqoi dëshmitarin me pjesë nga deklarata e tij dhënë në Polici në janarin e vitit 2023.
“A ka pasur armë ndonjëri prej personave që kanë qenë të përfshirë në rrahje...Dëshmitari: Nuk kam parë...Përgjigja juaj ka qenë nuk e di se çka ka qenë por njëri prej atyre të Shqipërisë i cili ka qenë më i madh me trup prej tyre ai ka pas në dorë diçka thikë ose shrafsiger nuk jam i sigurt tjetër nuk kam parë se ka pas diçka dikush në dorë a është e saktë...Dëshmitari: Po jam përgjigjur”, deklaroi Ajazaj.
Edhe dëshmitari tjetër në këtë rast, Brendon Kurtaj u shpreh se për shkak se ka qenë i dehur nuk mban mend shumë për atë çka ndodhi në natën kritike ku mbet i vrarë një shtetas shqiptar.
Ai tha se i shoqëruar nga dy persona ka shkuar në lokalin “Kobra City” të cilët ishin larguar pas 5 minutash.
I pyetur nga prokurorja, Rugova se a i kujtohet se kush ka qenë në lokal, dëshmitari Kurtaj tha jo se ka qenë shumë i dehur.
“Ne kemi qenë shumë mirë duke pirë me shoqëri, aty u bë një zhurmë u ngritën në këmbën nuk e di se çfarë u bë, jam kanë shumë i dehur pastaj unë kam shkuar tek muzika tek qoshja e lokalit afër banjos së meshkujve se jam kanë shumë i dehur...Prokurorija: A ke vërejtur se çfarë në pyetje...Dëshmitari: Nuk e kam vërejtur...Prokurorja: A ke vërejtur a ka dikush në dorë diçka ndonjë mjet?...Dëshmitari: Aspak nuk i kam parë hiq se kam qenë shumë i dehur”, theksoi ai.
Edhe ky dëshmitar nga avokati i Dibran Hoxhaj, Florent Latifi u përballë me një pjesë të dëshmisë së tij. Më pas ai e pyeti se klientin e tij a e kishte parë më herët në lokalin “Kobra City” dhe dëshmitari u shpreh se ‘e ka parë ndonjëherë’.
“Në momentin që ka ndodhur një konflikt mes disa personave në lokal që kanë filluar me thye shishe dhe sende në atë moment këngëtari ka qenë duke kënduar afër tavolinës tonë, unë i kam parë tre persona të cilët thejshin shishe dhe kanë ardhur afër tavolinës tonë dhe gjuajshin në drejtim të shankut...Ajo është...a është e vërtetë...Dëshmitari: Po është...Latifi: A keni edhe më herët në Kobra City... Dëshmitari: Po...Latifi:Dibran Hoxhën e keni takuar aty...Latifi:Shumë rrallë ndonjëherë“, theksoi ky dëshmitarë.
Pyetje për të dy dëshmitarët parashtroi edhe vetë i akuzuari, Dibran Hoxha i cili ndodhet në paraburgim.
Në seancën e sotme ishte e paraparë të dëgjoheshin edhe dëshmitarja Alketa Sejdiu dhe Hasime Idrizi. Por, ndonëse Gjykata kishte dhënë urdhër për të sillen nën shoqërimin e Policisë së Kosovës. Fillimisht nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi u tha se nuk kanë pranuar ndonjë informacion nga Policia. Por, më pas Krasniqi njoftoi se nga Policia e Kosovës i është bërë e ditur që nuk kanë zbatuar urdhrin gjyqësor, pasi për dëshmitaren Hasime Idrizi nuk është gjetura adresa e banimit, madje as banorët e rrethinës nuk e kanë njohur.
Më pas, prokurorja, Merita Rugova kërkoi që të lexohet deklarata e dëshmitares, Idrizi por më pas avokati i Dibran Hoxha, Florent Latifi kërkoi nga gjykata që të bëjë më shumë përpjekje për ta siguruar prezencën e dëshmitares në fjalë.
E trupi gjykues në rastin “Kobra City” vendosi që mos të lexohet në seancën e sotme dëshmia e Hasime Idrizit dhe urdhëroi verifikimin e adresës.
Seancat e radhës për rastin gjyqësor “Kobra City”, do të mbahen më 2, 4 dhe 15 pill.
Të akuzuarit për vrasjen e shtetasit shqiptar në më 3 janar në lokalin “Kobra City” në shqyrtimin fillestar ishin deklaruar të pafajshëm.
Dibran Hoxha i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli në shqyrtimin fillestar gjyqësor ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.