Për kaq ditë do të përfundojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

Aktuale

Për kaq ditë do të përfundojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 17:11
Foto nga vendi i ngjarjes

Përfundimi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit pritet të merr kohë deri në dy javë.

Kështu ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili shtoi se në të njëjtën periudhë kohore do të bëhet edhe vlerësimi i pakove me fletëvotime nga diaspora.

KQZ sot në mbledhjen e radhës njoftoi për anulimin e 529 zarfeve me fletëvotime nga diaspora për shkak të parregullsive. Ndërkaq, u theksua se numërimi i votave për kandidatët për deputetë në qendrat komunale të numërimit ka nisur në 18 komuna, ndërkaq në tetë të tjera do të nisë sot.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se meqenëse s’ka nisur me kohë numërimi në të gjitha qendrat komunale ky proces pritet të përmbyllet brenda dhjetë dite apo maksimumi dy javë.

Radoniqi: Procesi i numërimit të votave për deputetë mund të zgjasë deri në dy javë

“Meqenëse nuk kemi filluar në të gjitha qendra komunale të numërimit dhe me pa edhe atje si po shkon procesi nuk kemi bërë një vlerësim sesa do të zgjatet i tërë procesi për t’u përmbyllur numërimi. Por e përafërt do të jenë diku dhjetë ditë deri në dy javë po besoj”, tha ai.

Ai foli edhe për “sulmin apo ndërhyrjen” në sistemin e KQZ-së, ku tha se kjo çështje është në duart e prokurorisë dhe policisë, dhe sapo të marrin raportin nga këto dy institucione do të dalin me qëndrim.

Radoniqi: Kemi dyshime për ndërhyrje në sistemin e KQZ-së

“Kjo çështje tash është në duart e policisë dhe prokurorisë. Pa e marrë raportin nga ata, ne nuk do të japim asnjë informacion, pasi nuk i kemi. I kemi disa dyshime tona, por ato dyshime janë adresuar në polici dhe ata do të japin raportin”, tha Radoniqi.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala, tha se vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë në qendrat komunale po ndodh për shkaqe teknike.

Buzhala: Gjithsej janë numëruar 114 vendvotime

“Numërimi në Qendrat komunale të numërimit të fletëvotimeve për kandidatë për fletëvotimet e rregullta ka filluar në 18 komuna. Katër prej të cilave ka filluar me datën 11 shkurt 2025 dhe 14 të tjera më 12 shkurt 2025. Në këto 18 komuna ku ka filluar numërimi gjithsejtë janë numëruar 114 vendvotime nga 1.196 vendvotime gjithsej, ndërsa sot pritet të fillojë numërimi në tetë komuna të tjera”, tha ai.

Krahas kësaj, Buzhala bëri të ditur se KQZ-ja ka anuluar 529 zarfe me fletëvotime nga diaspora për shkak, siç u tha, parregullsive të shfaqura.

Buzhala: Janë anuluar 529 zarfe me fletëvotime nga diaspora

“Nga data 9 shkurt deri sot në orën 12:00 janë vlerësuar sot 8.766 zarfe, ku prej tyre 8 mijë e 247 zarfe me fletëvotime me votime janë aprovuar, ndërsa 529 zarfe me fletëvotime janë refuzuar. Këto kanë ndodhur për arsye si në vijim: 319 zarfe janë anuluar për shkak se votuesit nuk janë regjistruar në periudhën e aplikimit, 34 zarfe janë refuzuar për shkak se ka pasur më shumë se një fletëvotim brenda një zarfi. Pesë zarfe janë anuluar për shkak se mungon vula apo pulla postare, 16 zarfe janë anuluar për shkak se votuesit kanë dërguar fletëvotime nga shtete të ndryshme nga shteti që janë regjistruar. Ndërkaq, 50 zarfe janë refuzuar për shkak se brenda zarfit ka qenë vetëm dëftesa e regjistrimit dhe jo fletëvotimi”, tha ai.

Në lidhje me këto të dhëna reaguan anëtarët e KQZ-së nga partitë politike, ku anëtari i PDK-së, Arianit Elshani, tha se KQZ-ja duhet të fillojë nga sot publikimin e rezultateve të kandidatëve për deputetë.

Elshani: KQZ duhet të fillojë sot publikimin e rezultateve të kandidatëve për deputetë

“Ky është një shqetësim jo vetëm i anëtarëve të KQZ-së, por i të gjithë opinionit publik dhe kandidatëve dhe subjekteve e qytetarëve që të dihet se ku ka përfunduar vullneti i tyre i shprehur në ditën e zgjedhjeve. Është më se e nevojshme një alarmim i KQZ-së në lidhje me procesin e transparencës në raport me daljen e votuesve, numrin e përgjithshëm të votuesve dhe votat e kandidatëve... Unë insistoj dhe kërkoj që kjo të bëhet që nga sot. KQZ-ja të fillojë publikimin e rezultateve të kandidatëve. S’ka kohë më për t’u humbur. Sa më shumë që ka vonesa aq më e madhe është pakënaqësia dhe presioni pasi krijohet pabesi në raport me institucionin”, tha ai.

Anëtari i KQZ-së nga LDK-ja, Sami Hamiti, kërkoi nga sekretariati të ketë një plan B për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë në rast se bie sërish sistemi elektronik.

Hamiti: Të ketë një plan B për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë

“Po shihet se në planin operacional dhe pjesën e funksionalizimit të QKN-ve nuk jemi në kohë. Edhe ato që i kemi hap janë hapur me vonesë dhe me probleme të theksuara. Unë nuk jam mjeshtër i IT-së, as rrjetit e as sulmeve kibernetike. Ne si trup jemi KQZ dhe kemi obligim me kryer punën tonë për numërimin e votave pasi dikush pret”, theksoi ai.

Mirëpo, anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, tha se procesi i numërimit të votave po shkon mirë. Ai tha se një pjesë e kritikave për vonesa është tërësisht i gabuar.

Krasniqi: Një pjesë e kritikave për KQZ-në është i gabuar

“Një pjesë e këtyre kritikave apo perceptimit që është krijuar për këtë proces zgjedhor është tërësisht i gabuar. Ne çdo herë kur organizojmë zgjedhje të reja harrojmë qysh kemi kaluar në zgjedhjet e mëparshme. Mua më kujtohet prej vitit 2010 me vjedhjet industriale të votave që kanë ndodhur dhe e dina se s’ka mbetur kuti pa u prekur dhe janë pranuar zgjedhjet. Në vazhdimësi në vitet e mëparshme ka pasur rregullsi dhe asnjë proces zgjedhor s’ka përfunduar pa 1 muaj e gjysmë. Sot jemi në një situatë me gjithë vështirësitë teknike që i kuptojnë dhe tentimet për të sulmuar sistemin mendoj se sot kur shkon në qendra komunale të numërimit vëreni një transparencë të paparë asnjëherë kurrë më parë...Kandidatët e subjekteve le të pijë dikush bensedin dhe dikush le të duron, pasi rezultati është në kuti dhe ai do të bëhet publik. Në mars ata kanë me ditur fatin e tyre në këto zgjedhje... Në lidhje me atë që është bërë natën e zgjedhjeve ka qenë problem teknik. Futja e të dhënave është bërë prej njerëzve të thjesht dhe gabimi ka qenë se dy persona kanë futur shifra përtej asaj që ka qenë e logjikshme”, theksoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat