Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk do të merr pjesë në asnjë aktivitet të organizuar nga qeveria aktuale me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së se pavarësisë së Kosovës. Kështu ka bërë të ditur për KP, Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. Megjithatë, ai thotë se do të zhvillojnë aktivitete tjera në shënim të kësaj feste, por jo në bashkëpunim me qeverinë aktuale.
Ai derisa arsyeton këtë vendim, thotë se vendi ka të bëjë me një qeveri dhe kryeministër “kundër vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Jashari: Kemi një qeveri dhe kryeministër anti-UÇK, nuk do të realizojmë aktivitete me ta
“Kemi një qeveri dhe kryeministër anti UÇK dhe UÇK me një anti UÇK, kështu nuk munden bashkë me nderua dhe respektua luftën e UÇK-së dhe vlerat kombëtare...Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve ka rreth dy apo tre vite që nuk i bënë aktivitetet bashkë me Qeverinë e Kosovës për shënimin e pavarësisë. Sepse kur goditet dhe bëhen përpjekje nga nja Gjykatë e njëanshme speciale në bashkëpunim me Prokurorinë e Serbisë, kemi një kryeministër që godet vlerat e luftës të UÇK-së. Kemi një ministre që udhëheq një dikaster aq të rëndësishëm, Donika Gërvalla (Schwarz), e cila njollos dhe është e faktuar ajo që ka deponuar dëshmi të rrejshme kundër luftës së UÇK-së. Pastaj, kemi udhëheqësen e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, e cila bashkëpunon me kriminelet serbë me godit veteranin, e godet luftën e UÇK-së dhe është e natyrshme që nuk mundemi me këta t’i festojmë festat”, thotë Jashari.
Ai rithekson se në bashkëpunim me qeverinë aktuale nuk do të bashkëpunojnë për festen e 17 shkurtit. Derisa thotë se kanë aktivitetet e tyre.
Jashari: Ne bëjmë aktivitetet që organizatat e dala nga lufta shënojnë festat
“Dëshmoret dhe familjet e dëshmorëve, invalidë dhe familjet e tyre, veteranet, është rruga e ndritur që ka sjellë vendin tek liria dhe këto institucione janë krijuar pas kësaj lufte të përgjakshme e të lavdishme, dhe këto institucione duhet t’i respektojnë këto vlera...Ne bëjmë aktivitetet që organizatat e dala nga lufta, shënojnë festat...po në bashkëpunim me këtë qeveri në asnjë rrethanë dhe formë nuk do t’i shënojmë bashkërisht këto festa”, nënvizon Jashari.
Kryesia e Veteranëve të Luftës së OVL UÇK-së ka vendosur sot të mos ketë asnjë lloj bashkëpunimi me institucionet në detyrë të Qeverisë së Kosovës për kremtimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së të familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars.
Në një deklaratë për media pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së OVL të UÇK-së thuhet se deri te ky vendim ka ardhur për shkak se Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka treguar asnjëherë gatishmëri për bashkëpunim me OVL UÇK, duke i përjashtuar nga çfarëdo forme e financimit dhe mbështetjes ligjore dhe institucionale, por vetëm duke ofenduar, përjashtuar, linçuar dhe persekutuar nga çdo e drejtë ligjore.