Vrasja në “Interex”, punëtori thotë se në momentin kritik dëgjoi tri-katër krisma

Aktuale

Vrasja në “Interex”, punëtori thotë se në momentin kritik dëgjoi tri-katër krisma

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 18:47
Foto ilustrim

Dëshmitari Vedat Ferati në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, deklaroi se ditën kritike të 11 shtatorit 2023 kur ndodhi vrasja në “Interex”, dëgjoi tri-katër krisma, por rastin nuk e pa sepse nuk ishte afër.

Në këtë rast, Arsim Syla akuzohet për vrasjen e V.B., më 2023 në “Interex” në Podujevë, në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur L.S., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ferati, i cili atë ditë ishte prezent si punëtor sigurimi në “Interex”, shtoi se nuk i kujtohet saktë rasti pasi ka kaluar kohë e gjatë.

Dëshmitari deklaroi se kishte dëgjuar diku tre apo katër krisma, por që nga vendi ku ishte duke qëndruar nuk shihej pjesa ku edhe kishte ndodhur ngjarja.

“Une jam kanë para arkës, i kam dëgju krismat. Unë rastin nuk e kam pa”, tha Ferati.

Sipas tij, po atë ditë, në restorantin brenda objektit ku ishin zhvendosur nga Policia (pas rastit), kishte dhënë dëshmi lidhur me atë që kishte parë.

Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohet edhe dëshmitari Fadil Syla, e që shkaku i mungesës së tij, gjyqtarja Fatime Dermaku ndërpreu seanancën (sesionin e paradites) për të vazhduar në sesionin e pasdites me dëgjimin e tij, por as atëherë Syla nuk u paraqit në gjykatë.

Gjykatësja tha se dëshmitari Syla e ka arsyetuar mungesën e tij përmes telefonit, duke njoftuar se mungon për arsye familjare.

Kështu, gjykatësja Dermaku e ndërpreu seancën e sotme për të vazhduar një ditë tjetër.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Arsim Syla, pasi që i njëjti me qëllim të hakmarrjes, për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët, gjatë vitit 2022, me tani të ndjerin V.B dhe Sh.R, i pandehuri kishte porositur djalin e tij të mitur L.S, që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se më 11 shtator 2023 i pandehuri Syla me djalin e tij të mitur L.S, kishin shkuar në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë, ku rreth orës 12:19, kishin vërejtur të ndjerin V.B, duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar.

Sipas aktakuzës i pandehuri Syla me djalin e tij L.S, dalin nga restauranti, ku Syla e orienton të miturin L.S në drejtim të të ndjerit V.B, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Syla vazhdon për të dalë nga objekti dhe në momentin kur i ndjeri V.B bashkë me bashkëshorten e tij L.S dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit V.B.

I njëjti duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B dhe e qëllon edhe të dëmtuaren bashkëshorten e tij, L.S, e cila fillimisht kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S nga çanta kishte nxjerrë revolen tjetër me të cilën qëllon edhe katër herë në kokën e tani të ndjerit V.B, i cili tanimë ishte i shtrirë në tokë.

Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma i zjarrit, i ndjeri V.B, vdes në vendin e ngjarjes ndërsa e dëmtuara L.S, dërgohet në QKUK nga plagët e rënda që ka pësuar menjëherë pas të shtënave.

Kurse, i mituri L.S., me shpejtësi kishte dalur nga ‘Interex’ duke u larguar në këmbë në drejtim të panjohur, kurse i pandehuri Syla ishte ofruar tek vetura e tipit ‘Mercedes E200’, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex’ dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik në Podujevë, ku edhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, ishin gjetur dhe sekuestruar, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje, me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 2 antiplumba.

Me këtë i pandehuri Arsim Syla ngarkohet se në bashkëkryerje me të miturin L.S, kishte kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat