​Sa do të marrë kohë formimi i institucioneve?

Aktuale

​Sa do të marrë kohë formimi i institucioneve?

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 10:08
Foto ilustrim

Insistimi i Lëvizjes Vetëvendosje - si partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, për ta formuar qeverinë vetëm me komunitetet jo shumicë, si dhe barrikadimi i partive të tjera kundër partisë së Albin Kurtit, pritet të vonojë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.

Sipas analistëve politikë, rezultatet preliminare të zgjedhjeve kanë krijuar paqartësi për përbërjen e re në legjislativ dhe numrat se kush mund ta formojë ekzekutivin, LVV-ja e vetme apo edhe një koalicion i gjerë i partive opozitare - PDK, LDK, AAK-Nisma, së bashku me komunitete jo shumicë.

Të njëjtit, në bazë të kësaj, thonë se do të ketë zvarritje në formimin e qeverisë pasi do të ketë kalkulime të shumta se si, dhe kush mund ta formojë qeverinë. Krahas kësaj, potencohet se edhe vonesat në numërimin e votave dhe certifikimin zyrtar të zgjedhjeve mund të shkaktojnë vonesa në formimin e qeverisë se re.

Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, ku janë numëruar 99.72 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.84 për qind apo 341 mijë e 672 mijë vota. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.15 për qind ose 184 mijë e 499 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 17.59 për qind ose 147 mijë 827 vota. AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal renditet subjekti i katërt me 7.47 për qind ose 62 mijë e 309 vota.

Në bazë të këtij rezultati, politologu Artan Muhaxhiri thotë për KP se formimi i qeverisë do të marrë kohë, pasi Lëvizja Vetëvendosje edhe me votat e diasporës do ta ketë të vështirë t’i bëjë mbi 50 deputetë dhe vetëm me pakicat, përjashto Listën Serbe, të formojë ekzekutivin.

Ai e lë të hapur mundësinë që edhe një koalicion i gjerë mes PDK-së, LDK-së dhe AAK-Nisma, së bashku me komunitetet jo shumicë, të formojë qeverinë.

Muhaxhiri: Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, formimi i qeverisë do të marrë kohë

“Gjithsesi do të ketë zvarritje. Do të [nevojitet] kohë dhe takime të shumta. Ne i njohim liderët e partive tona dhe i njohim si funksionojnë. Do të ketë shumë kalkulime, balancime, deri sa të arrihet një harmonizim që do t’i kënaqë të gjitha palët. Kjo do të marrë kohë por gjithsesi edhe për faktin se tash ekziston një bllok ‘anti LVV’, ku të gjitha partitë janë të larguara nga Lëvizja Vetëvendosje”, thekson ai.

Njohësi i Kushtetutës, profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë do të varen nga rrethanat që do të krijohen.

Ai vë në pah edhe vonesat në numërimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe certifikimin e tyre nga KQZ-ja.

Krahas kësaj, si dhe kalkulimeve politike për koalicione pas zgjedhore, sipas tij mund të ketë vonesa në konstituimin e institucioneve të reja.

Baraliu: Vonesat në formimin e qeverisë do të varen nga rrethanat që do të krijohen

“Është çështje që varet nga rrethanat. Mendoj se për të krijuar një shumicë të pakicës nuk është problem, por për të krijuar një shumicë sa më të fortë i duhen, cilido koalicion që mund të qeverisë, i duhen përforcime. Ato përforcime merren duke bërë koalicion me ndonjë parti, ani pse ata kanë deklaruar se nuk do të bëjnë koalicion me LVV-në dhe LVV-ja me ata. Mirëpo, mund të bëhet edhe duke marrë deputetë të partive të ndryshme për të përforcuar koalicionin e vet qeverisës, qoftë LVV-ja apo partitë opozitare, nëse pretendojnë ta bëjnë qeverinë e pakicës. Po është e mundshme, s’është e kundërligjshme që të animohet ndonjë deputetë dhe të rritet fuqia votuese e koalicionit”, thekson Baraliu.

Analisti politik, Seb Bytyqi deklaron se në bazë të rezultatit aktual të zgjedhjeve do të ketë kalkulime të shumta për formimin e qeverisë.

Ai thotë se krahas LVV-së, si parti fituese e zgjedhjeve, edhe partitë e tjera do të tentojnë të formojë qeverinë. Kjo situatë, sipas tij, mund të prodhojë një ngërç që do të vonojë në formimin e ekzekutivit të ri.

Bytyçi: Do të ketë kalkulime për formimin e qeverisë

“[Formimi i qeverisë nga opozita] Është e mundshme pasi i kanë numrat e mjaftueshëm, ose të bëjnë qeverinë me 20 deputetët e pakicave, ose ndoshta vetëm me pakicat jo serbe. Pra, dy partitë e vogla me një numër që i kanë gjashtë, shtatë deputetë, AAK-Nisma, po ashtu edhe Lista Serbe, këto dy mund t’i ndihmojnë koalicionit të ardhshëm për të formuar qeverinë. Nëse AAK-ja në asnjë mënyrë nuk shkon me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë kjo parti mund të zgjedh Listën Serbe. Por, nëse s’ka asnjë apetit në LVV për të bërë marrëveshje me Listën Serbe, atëherë rruga tjetër është për të shkuar në opozitë. Mirëpo, nëse bën ndonjë marrëveshje me LDK-në ose PDK-në për pozitën e presidentit dhe të futet në koalicion qeverisës ajo parti me idenë që merr pozitën e presidentit, dhe ajo është e mundur”, thekson Bytyçi.

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 25, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, koalicioni AAK-Nisma 8 deputetë, ndërsa komunitetet jo shumicë kanë 20 ulëse të rezervuara.

Megjithatë, me numërimin e rreth 100 mijë votave nga diaspora dhe atyre me kusht, partia e Albin Kurtit konsiderohet se mund t’i fitojë edhe dy deri në tre deputetë më shumë, varësisht nga numri i votave nga diaspora. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat