Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga të dhënat që kanë pranuar nga Qendrat Komunale të Numërimit në 26 komuna deri më 13 shkurt janë numëruar 386 vendvotime.
Ndërkohë, KQZ-ja ka njoftuar se mëngjesin e sotëm ka nisur procesi i numërimit të votave për deputetë edhe në dy komuna të tjera, në Istog e Rahovec, gjersa kanë bërë të ditur se pasdite nga ora 16:00 numërimi do të fillojë edhe në dy komuna të tjera, në Pejë dhe Podujevë.
“Është duke vazhduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat e ndryshme të Kosovës. Mëngjesin e së premtes (14 shkurt) ky proces ka filluar edhe në komunën e Istogut dhe Rahovecit. Gjatë pasdites, në orën 16:00, planifikohet që numërimi të fillojë në QKN-të në komunat Pejë dhe Podujevë”, thotë KQZ-ja.
Fillimisht numërimi nisi në komunat, Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh më 11 shkurt.
Më 12 shkurt numërimi filloi edhe në Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Han i Elezit.
Ndërkaq më 13 shkurt filloi në Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik.
Procesi i numërimit të votave siç ka bërë të ditur kreu i KQZ-së pritet të marr kohë deri në dy javë.