Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është bërë publik versioni i redaktuar i vendimit të konfirmimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, i cili përmban informacione se si u koordinuan për udhëzimet e dhëna për mënyrën e dëshmisë së dëshmitarëve, duke përfshirë Rrustem Mustafën dhe Bislim Zyrapin.
Në vendimin e 21 nëntorit 2024, i cili konfirmon akuzat e ZPS-së nga gjyqtarja Marijore Massleot, e i cili u bë publik më 12 shkurt 2025 përshkruhen faktet për të cilat flet aktakuza, duke përfshirë edhe transkriptat e audio-incizimeve të nxjerra gjatë vizitave të Thaçit me të pandehurit dhe persona të tjerë gjatë një periudhe midis 12 prillit dhe 2 nëntorit 2023, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas një transkripti të vizitës së 2 korrikut 2023, Thaçi e kishte konsideruar dëshminë e Remit si vendimtare për rastin e tij dhe dha udhëzime që të minimizonte diçka që kishte të bënte me UÇK-në dhe të përqendrohej në diçka tjetër.
“Sa i përket përmbajtjes së dëshmisë së (atëhershme) të ardhshme në rastin 06, Transkripti i Vizitës së 2 Korrikut 2023 tregon se Z. Thaçi, i cili e karakterizoi dëshminë e Dëshmitarit 1 si “vendimtare” për rastin e tij, dha udhëzimin që Dëshmitari 1 të minimizonte [REDAKTUAR] Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”), dhe të përqendrohej në [REDAKTUAR]”, thuhet në vendimin për konfirmimin e aktakuzës.
Sipas transkriptit që është pasqyruar në këtë vendim, Thaçi kishte udhëzuar që Remi t’i mohonte disa fakte lidhur me një çështje që në vendim është e redaktuar. E po ashtu, është redaktuar edhe pjesa tjetër se çka kishte udhëzuar Thaçi që të thoshte dhe çka mos të thoshte.
Veç kësaj, Thaçi thuhet se kishte udhëzuar që Remi të dëshmonte shkurt dhe sipas asaj që thuhet në transkript ‘të mos filozofonte”.
“Sa i përket mënyrës së dëshmimit, sipas Transkriptit të Vizitës së 2 Korrikut 2023, Z. Thaçi udhëzoi që Dëshmitari 1 të dëshmonte shkurtimisht, duke “e mbajtur të shkurtër” ose “përgjigjur shkurt” që Dëshmitari 1 të mos “rrëshqasë” dhe të mos “filozofojë” ose “japë një opinion””, thuhet në vendim.
Po ashtu, Thaçi thuhet se kishte udhëzuar që Remi të përdorte seancën përgatitore para se të dilte në sallën e gjyqit si mundësi për të bërë ndryshime në deklaratën e tij.
“Ky transkript gjithashtu tregon se Z. Thaçi drejtoi që Z. Fazliu të përdorte gjuhë si “Të gjitha sytë tanë janë mbi ty. […] do të të shikojnë […]” për ta shtyrë Dëshmitarin 1. Po ashtu, Z. Thaçi i udhëzoi Z. Fazliu që t’i kujtonte Dëshmitarit 1 se ky i fundit kishte kaluar vetë “përmes procedurave” për katërmbëdhjetë vjet, duke iu referuar gjyqit kundër Latif Gashit e të tjerëve”, thuhet në vendim.
Kurse, Fadil Fazliu thuhet se ishte pajtuar që t’ia transmetonte këto udhëzime dhe së bashku me Thaçin kishin diskutuar për mënyrën se si do të kontaktonte Fazliu dëshmitarin për të folur për dëshminë e tij.
Sipas vendimit, Thaçi e kishte paralajmëruar Fazliun se ZPS-ja mund ta pyeste dëshmitarin nëse dikush ka kontaktuar me atë dhe se ai nuk dëshironte ta rrezikonte bashkëpunëtorin e tij. Andaj, Thaçi kishte udhëzuar Fazliun që ta kontaktonte Remin në mënyre indirekte për çka Fazliu kishte sugjeruar që djali i tij Fahriu ta kontaktonte Remin për t’i propozuar që të pinin kafe.
Aty thuhet se Thaçi ishte pajtuar me këtë sugjerim dhe kishte udhëzuar që edhe Fadil Fazliu të ishte i pranishëm në këtë takim.
Sipas vendimit, të dhënat e nxjerra nga telefoni i sekuestruar i Remit tregojnë se Fadil Fazliu me djalin e tij ishin takuar me Remin më 29 qershor 2023 pas një shkëmbimi mesazhesh më 26 qershor 2023.
Andaj, në takimin e mëvonshëm që Thaçi kishte pasur me Fazliun, theksohet se ky i fundit kishte treguar se Remi ishte i gatshëm të merrte udhëzime nga Thaçi për mënyrën se si të dëshmonte.
Pas vizitës së 2 korrikut në Hagë, të Fadil Fazliut, djali i tij një ditë më vonë e kishte ftuar për kafe Remin nëpërmjet mesazheve telefonike, gjë që sipas trankriptit të takimit ishte në përputhje me diskutimin në mes Falziut dhe Thaçit.
Në vendim, thuhet se sipas transkripteve të seancave në rastin e Thaçit për krime lufte, Remi e filloi dëshminë më 11 korrik 2023. Thuhet se duke iu referuar transkripteve te seancës, Remi kishte devijuar dëshminë e tij nga intervistat e mëparshme me ZPS-në në disa pika në përputhje me udhëzimet e Thaçit që ia dha Fazliut gjatë vizitës së 2 korrikut.
Kurse, sipas transkriptit të vizitës së 6 tetorit, Thaçi thuhet se ka shprehur kënaqësinë e tij me Remin pasi ai ishte në përputhje me udhëzimet për të qenë i shkurtër.
“Transkripti i audio-përgjimit të vizitës së 6 tetorit gjithashtu tregon se, gjatë asaj vizite, Z. Thaçi shprehu kënaqësinë e tij me dëshminë e Dëshmitarit 1, e cila, sipas diskutimeve gjatë asaj vizite, duket se përputhej me udhëzimet e tij për të qenë i shkurtër, për të “mos e lënë çështjen të shkojë më tej se [REDAKTUAR]”, [REDAKTUAR] “dhe kjo ishte e gjitha”, thuhet në vendim.
Tutje, për ketë vizitë thuhet se transkripti i audio-incizimeve tregon se Thaçi herë pas herë ka folur me zë të ulët dhe ka shqiptuar disa fjalë në mënyrë të heshtur me Fadil Fazliun.
Materialet tjera të ZPS-së, flasin për një vizitë të Kuçit tek Thaçi, e cila kishte zgjatur rreth 3 orë, më 3 shtator 2023, ndërkohë që ai ishte pjesë i ekipit mbrojtës të Kadri Veselit.
Përveç udhëzimeve që duhet t’i përcjellte Kuçi tek dëshmitarit, transkripti, sipas vendimit, tregon se në këtë takim Thaçi ka diskutuar për një person emri i të cilit është i redaktuar dhe se nga analizimi i provave ka dalë që ai emër ishte në listën e dëshmitarëve të ZPS-së, por që nuk ishte me masa mbrojtëse.
Në këtë takim, Thaçi kishte përsëritur disa herë se ky dëshmitar duhet të ndryshonte dëshminë e tij të mëparshme në tri tema kryesore, të cilat janë të redaktuara për publikun.
Madje, sipas asaj që thuhet në vendim, transkripti i takimit tregon se Thaçi e kishte drejtuar dëshmitarin në burime specifike për të bazuar atë se çfarë do të thoshte.
“Transkripti i vizitës së 3 shtatorit 2023 gjithashtu tregon se Z. Thaçi e ka drejtuar Dëshmitarin 5 në burime specifike që duhet të informonin dëshminë e tij, siç janë “mbahet pas intervistës së [REDAKTUAR]”, dhe “leximi i librit të [REDAKTUAR] dhe intervistave të [REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.
Ndërsa, kur të përballej me deklaratat e mëhershme të tij të cilat i ka ndryshuar, Thaçi thuhet se kishte udhëzuar që dëshmitari duhet të përgjigjej me “Mund ta kem thënë gabimisht”, ose “ndoshta ata e kanë përkthyer gabim atë që kam thënë” apo edhe “kam qenë ndoshta i lodhur dhe i kam ngatërruar”.
Në po të njëjtin takim, pretendohet se Thaci ka diskutuar edhe për një person të quajtur “Bisa” ku ishte arritur në përfundim se sipas materialeve ky emër i përkiste Bislim Zyrapit, i cili ishte dëshmitar me kodin W04752 dhe më 30 janar 2023 i ishte kumtuar mbrojtjes se ai do të dëshmonte në çështjen për krime lufte. Zyrapi ka dëshmuar me 1-4, 8-11, dhe 15-18 korrik 2023 në Hagë.
“Sa i përket përmbajtjes së dëshmisë (të mundshme) në çështjen 06, transkripti i vizitës së 3 shtatorit 2023 tregon se Z. Thaçi i dha udhëzime Dëshmitarit 2 që të dëshmonte se: (i) Dëshmitari 2 ishte [REDAKTUAR]; (ii) Z. Thaçi ishte [REDAKTUAR]; (iii) Z. Thaçi [REDAKTUAR]; (iv) [REDAKTUAR]; dhe (v) [REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.
Ndërsa, për dëshmitarin, i cili identifikohet me numrin 6, gjatë takimit të 3 shtatorit, Thaçi kishte udhëzuar se çfarë të dëshmonte.
Për Zyrapin dhe dy dëshmitarët tjerë, transkripti tregon se Kuçi i ka konfirmuar gjatë takimit Thaçit se i kupton udhëzimet, me ç’rast ky i fundit i kishte kërkuar që t’i shkruante. Aty thuhet se gjatë audios së kësaj vizite ishin dëgjuar tinguj letre dhe shkrimi.
Po ashtu, në vendim thuhet se transkripti tregon se Kuçi i ka thënë Thaçit që ka pasur takime me dëshmitarin 5 për të diskutuar dëshminë e tij të ardhshme.
Ngjashëm edhe në këtë vizitë, Thaçi dhe Kuçi thuhet se kishin folur me zë të ulët dhe kishin pëshpëritur.Për vizitën e 9 shtatorit 2023, materialet mbështetëse tregojnë se për tre orë me Bashkim Smakajn, Artan Behramin dhe Ismail Sylen, Thaçi kishte ndarë informacione konfideciale me dëshmitarët e ardhshëm të ZPS-së dhe ka dhënë udhëzime për njërin prej tyre se çfarë duhet të dëshmonte.
Edhe në këtë takim, vendimi thotë se ishte diskutuar për Bislim Zyrapin që i ishin referuar si “Bisa” ose “Bislimi”, dëshminë e të cilit Thaçi e kishte quajtur thelbësore dhe kishte dhënë udhëzime se si ai duhet të dëshmojë.
“Thaçi ka këshilluar që Dëshmitari 2 të dëshmojë në mënyrë të përmbledhur, të flasë ngadalë me ndërprerje, “të mos e lërë të shkërmoqet”, të përgjigjet “Nuk e di, nuk kujtoj”, të thjeshtojë çështjet, të mos “ngatërrohet”, dhe të heqë ose ndryshojë një pjesë të caktuar të tregimit të tij”, thuhet në vendim.
Gjatë kësaj vizite, thuhet se vizitorëve të tij, Thaçi u kishte thënë se priste që dëshmitari 2 (Bislim Zyrapi) t’i përmbahej udhëzimeve “më mirë se Remi”.
Për vizitën e 7 tetorit 2023, materialet tregojnë se Smakaj kishte treguar se Zyrapi ka kërkuar shpjegime lidhur me deklaratat e tij, pasi kishte frikë se disa aspekte mund ta kishin dëmtuar Thaçin, për çka ky i fundit kishte dhënë një version lidhur me një çështje e cila në dokument është e redaktuar.
Si rrjedhojë, në vendim thuhet se gjatë një operacioni të kryer nga ZPS-ja më 30 tetor 2023 në veturën e Smakajt i ishte gjetur një dokument dhe nga krahasimi forenzik që i është bërë, dyshohet se ai dokument ishte shtypur nga një printer në objektin e paraburgimit në Hagë i cili është në dispozicion për të burgosurit.
Dokumenti i Smakajt sipas vendimit përmban ngjarje kyçe dhe emra të anëtarëve të UÇK-së dhe sipas mendimit të gjyqtares, i njëjti dokument pasqyron versionin e ngjarjeve siç janë treguar nga Thaçi gjatë vizitës së 9 shtatorit dhe 7 tetorit 2023, si dhe përmbanin lëndën e parashikuar të dëshmisë së Zyrapit.
Sa i përket materialeve nga këto dy vizita, vendimi thotë se udhëzimet e Thaçit janë në kundërshtim me intervistën që kishte dhënë Zyrapi.
Edhe në vizitën e 9 shtatorit 2023, Smakaj e Thaçi kishin biseduar me zë të ulët ose kanë pëshpëritur. Ngjashëm kishte ndodhur edhe në atë të 7 tetorit 2023 me Smakajn dhe Behramin.
Kurse në vizitën kur Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu e vizituan Thaçin më 6 tetor 2023, materialet kanë treguar se, atëherë i akuzuari u kishte dhënë informacion atyre për dy dëshmitarë të ZPS-së që ende nuk kishin dëshmuar. Thaçi i kishte dhënë udhëzime Kilajt për t’ia përcjellë njërit prej këtyre dëshmitarëve.
Sipas asaj që është diskutuar në këtë takim, informacione të ngjashme për një dëshmitar të mbrojtur dhe një të pambrojtur ishin gjetur në dokumente në shtëpinë e Kilajt. Në këtë takim, Thaçi ia kishte shpjeguar Kilajt veçoritë e mënyrës së si ZPS-ja po përgatiste dëshmitarët dhe e udhëzonte atë që t’i thoshte njërit prej dëshmitarëve që ta modifikonte dëshminë e tij.
Sipas vendimit, materialet tregojnë se Thaçi i kishte thënë Kilajt që t’i thoshte dëshmitarit 5 që të “Flet bindshëm” dhe “Të jetë i shkurtër”. Po ashtu, Thaçi thuhet se e kishte furnizuar Kilajn me argumente se si ta bindte dëshmitarin 4 që të dëshmonte duke i thënë se ‘Kjo është në dobinë tënde”.
Si rrjedhojë, thuhet se gjatë bastisjes që ZPS-ja kishte realizuar më 2 nëntor në shtëpinë e Kilajt, kishte sekuestruar në banesën e tij letra të grisura në plehra të deklaratave të mëparshme të dëshmitarit 4. Nga krahasimet forenzike, ka dalë që kjo letër ka një mbështetje të fortë në atë se ishte printuar nga printeri në qendrën e paraburgimit që është në dispozicion për të paraburgosurit.
Materialet e sekuestruara, thuhet se janë edhe tri shënime dore që përbënin detaje për disa dëshmitarë të ZPS-së duke përfshirë dëshmitarin 3 dhe 4, si dhe një listë emrash të dëshmitarëve të ZPS-së me kodet përkatëse.
Gjatë intervistimit të Kilajt më 2 nëntor 2023, ai kishte pranuar se shënimet janë bërë nga ai duke shtuar se kodet dhe lista e dëshmitarëve ishin bërë të ditura pas arrestimit të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, të cilët u arrestuan për shpërndarje të paligjshme të informacionit konfidencial lidhur me dëshmitarët.
Megjithatë, gjyqtarja ka thënë se sipas informacioneve dhe materialeve përkatëse, shënimet e Kilajt nuk janë materiale që mund të gjenden në publik, por janë zbuluar në mënyrë të paligjshme nga ai.
Ajo tha se lista e dëshmitarëve që kishte në posedim Kilaj përputhet në përgjithësi me listën e dëshmitareve që iu ishte dhënë mbrojtjes deri më 30 janar 2023 në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Nga një xhaketë e Kilajt, ZPS-ja kishte sekuestruar disa fletshënime të shkruara me dorë, për të cilat gjyqtarja kishte vërejtur se ishin udhëzime për dëshmitarët.
“Përmbajnë komente të tilla si “nuk duhet të përmendet që ai [REDAKTUAR]”, “nuk duhet të thotë që [REDAKTUAR]”, “Mendova se ishte kështu, por nuk ishte. Kam pasur informacion të gabuar në atë kohë”, “Kam dëgjuar që [REDAKTUAR]. Ai ishte dikush me autoritet”, “[REDAKTUAR]”, ose “[REDAKTUAR]”. Këto duket se pasqyrojnë udhëzime që duhen dhënë për (disa nga) dëshmitarët që përmenden në shënimet e shkruara me dorë”, thuhet në vendim.
Dy nga emrat që ishin në shënim, sipas vendimit, përkojnë me emrat e dëshmitarëve të mbrojtur të ZPS-së të cilët kanë dëshmuar në Hagë.
Veç kësaj, në vizitën e 6 tetorit, Thaçi thuhet se kishte treguar për dëshminë e një dëshmitari dhe kishte thënë se ai ishte i ri.
“Sa i përket kontakteve me dëshmitarët, transkripti i vizitës më 6 tetor 2023 tregon se Z. Thaçi gjithashtu diskutoi për dëshmimin e një dëshmitari tjetër të ZPS gjatë kësaj vizite, të cilin ai e përshkroi si “[njeriu i Z. Kilaj”, dhe dëshminë e tij ai e perceptoi si “pozitive”. Sipas transkriptit të vizitës më 6 tetor 2023, në përgjigje të përshkrimit të Z. Thaçi, Z. Kilaj tregoi se ai kishte “takuar [dëshmitarin] një javë para se ai të vinte këtu”, thuhet në vendim.
Edhe për Kilajn dhe Thaçin thuhet se flisnin me zë të ulët dhe pëshpëritnin gjatë takimit, veçanërisht kur diskutonin për udhëzimet e Thaçit se dëshmitari duhej ta ndryshonte dëshminë e tij.
Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt më 9 dhjetor 2024.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.