Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurit H.I., dhe B.I., të dyshuar për vrasjen e I.I.
“Me datë 12 shkurt 2025 në një lokal në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, të pandehurit, së bashku e të vetëdijshëm për veprimet e tyre, me dashje e privojnë nga jeta tani të ndjerin I.I., ashtu që derisa viktima ishte duke pirë kafe në lokal, të pandehurit posa hyjnë në lokal i nxjerrin armët dhe shtijnë në drejtim të ndjerit I.I, dhe goditjet rezultojnë vdekjeprurëse për të ndjerin”, thuhet në njoftim.
Me këtë, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 e lidhur me nenin 31, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“ nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Të pandehurit, me aktvendim të prokurorit të shtetit gjenden në ndalim nga data 12 shkurt 2025.
Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve pritet të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.