Presidentja Vjosa Osmani ka takuar sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë.
Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përbënte një fitore jo vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe për vetë Evropën dhe vlerat e saj themelore.
Kujtojmë, më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, por ajo nuk u vendos në agjendë pasi disa vende kërkuan që Kosova të shënojë progres drejt formimit të asociacionit.
Kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me asociacion.
“Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, pati theksuar ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 ka konstatuar se marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutën.