Bekim Hamëz Jashari ka dalë me një reagim pasi OVL UÇK njoftoi se do të bojkotojë qeverinë aktuale në organizimet e saja për shënimin e pavarësisë së Kosovës dhe Epopesë së lavdishme të Jasharëve.
Kryesia e Veteranëve të Luftës së OVL UÇK-së ka vendosur të mos ketë asnjë lloj bashkëpunimi me institucionet në detyrë të Qeverisë së Kosovës për kremtimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së të familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars.
Në një postim në Facebook, ish-kryetari i Skenderajt Bekim Hamëz Jashari thotë se bojkoti i këtyre momenteve nuk ndryshon rrjedhën e historisë, por “flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë.”
“Kur erdhi dita për t’i dalë zot atdheut, bijtë dhe bijat e Kosovës iu përgjigjën kushtrimit pa hezitim, duke lënë mënjanë çdo dallim. Vetëm pak ishin ata që bojkotuan dhe nuk u bënë pjesë e “dasmës së lirisë”. Sot kemi mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, të fituara me gjak dhe sakrificë. Kosova është meritë e të gjithëve, dhe në vend të bojkotit, mirënjohja dhe nderimi për ata që na sollën lirinë duhet të na bashkojnë. Siç thoshte mixha Rifat: “Humba 56 anëtarë të familjes, por fitova zemrat e miliona shqiptarëve.” Asgjë nuk mund ta zbehë madhështinë e kësaj feste! Lavdi dëshmorëve!”, ka shkruar Jashari.
Në një deklaratë për media pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së OVL të UÇK-së thuhet se deri te ky vendim ka ardhur për shkak se Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka treguar asnjëherë gatishmëri për bashkëpunim me OVL UÇK, duke i përjashtuar nga çfarëdo forme e financimit dhe mbështetjes ligjore dhe institucionale, por vetëm duke ofenduar, përjashtuar, linçuar dhe persekutuar nga çdo e drejtë ligjore.
“Duke e parë të arsyeshme që kjo Qeveri ka qenë një nga qeveritë që ka shkelur çdo të drejtë tonën, ne si OVL e UÇK-së do të organizohemi me degët tona në çdo komunë të Kosovës që heronjtë, dëshmorët dhe sakrificën sublime të UÇK-së në këto dy data historike, në mënyrë të organizuar nga Kryesia e OVL UÇK-së dhe degët tona t’i festojmë dhe nderojmë në mënyrën më fisnike që na përket neve si luftëtarë të UÇK-së”, thuhet në deklaratë.