Ambasada e Kosovës në Austri ka njoftuar se nga data 1 mars, qytetarët e Kosovës që duan të konvertojnë patentë shoferin në këtë shtet, s’kanë më nevojë që t’i nënshtrohen provimit praktik.
Kjo vjen si rezultat i ligjit të ri, që lehtëson procedurën e konvertimit dhe vlen për të gjitha kategoritë.
“Sapo jemi njoftuar zyrtarisht se nga data 1 Mars 2025, hyn në fuqi ndryshimi i rregullores zbatuese të Ligjit të Patentës së Shoferëve në Austri, i cili lehtëson procedurën e konvertimit të patentës së shoferit për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë një patentë shoferi të vlefshme të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës NUK kanë më nevojë të japin provim praktik për konvertimin e saj në një patentë austriake.
Ky lehtësim vlen për të gjitha kategoritë e patentave të shoferit të lëshuara në Republikën e Kosovës” thuhet në njoftim.