Një i pandehur është arratisur sot rreth orës 12:00 nga objekti i Gjykatës Themelore në Prishtinë, menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore.
Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari ka përdorur forcë fizike dhe veprime agresive ndaj zyrtarit përgjegjës për sigurinë e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore, dhe më pas ka arritur të largohet.
“Policia, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka nisur hetimet dhe është në kërkim të të arratisurit. Ndaj tij është iniciuar një procedurë penale për veprat “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Arratisja e personit të privuar nga liria”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci.
Ndërkohë, L.H., i dyshuar për lëndim të rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje, është arratisur nga Pallati i Drejtësisë, pasi i është caktuar masa e paraburgimit në seancë dëgjimore.
“Për njoftimin tuaj, Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurit L.H. ka marr informacion se i njëjti pasi që ka pranuar aktvendimin për caktim të paraburgimit, ka arritur që ti ik Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë kompetent për ta siguruar rastin”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale bën të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.H.