Ditë më parë u publikua një bisedë personale mes gazetarit Berat Buzhala dhe politikanit Petrit Selimi. Në bisedën e dyshes diskutohej për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Emra të ndryshëm u përmendën për kryeministër të ardhshëm. U përmend edhe ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka.
Kjo bisedë e publikuar ka mjaftuar që të shfrytëzohet nga pushteti i tanishëm. Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, janë vërshuar me goditje ndaj Gresa Cakës.
Për herë të parë lidhur me këtë ka reaguar vetë ajo në një postim në “Facebook”.
Ajo tha se biseda ku ajo është përmendur nuk ka pasur miratimin e saj.
“Nuk kam reaguar asnjëherë ndaj sulmeve, shpifjeve dhe linçimit që fatkeqësisht e karakterizojnë diskursin tonë publik. Vlerësoj që një nivel dhe mënyrë e tillë e padenjë e komunikimit, nuk meriton të legjitimohet me përgjigje.
Përjashtimisht dhe marrë parasysh që një bisedë në të cilën është përmendur edhe emri im, pa dijeninë dhe rrjedhimisht, pa miratimin tim, ka mjaftuar për të filluar një fushatë agresive dezinformatash bazuar në kauza të motivuara politikisht, përfshirë kundër institucioneve të Republikës, konsideroj që është i nevojshëm një sqarim i shkurtër dhe i prerë”, ka shkruar Caka.
Caka ka sqaruar se nuk ka diskutuar me asnjë parti.
“Nuk kam diskutuar me asnjë person e as parti politike rreth asnjë funksioni publik e politik, si dhe nuk kam asnjë interesim për diskutime të tilla. Do të mbetem gjithnjë krenare që i kam shërbyer një institucioni me kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe vlerave të demokracisë në Republikën e Kosovës. Ndërsa, ashtu siç jam deklaruar gjithnjë, brenda fushëveprimit të profesionit tim, do të vazhdoj të punoj me përkushtim për forcimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës, duke e mbrojtur edhe integritetin e funksionit që kam ushtruar në Gjykatën Kushtetuese.
Të gjitha çështjet tjera, do t’i adresoj përmes mekanizmave ligjorë”, tha ajo.