​Parregullsitë në numërimin e votave, Nenad Rashiq paralajmëron padi

Aktuale

​Parregullsitë në numërimin e votave, Nenad Rashiq paralajmëron padi

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 21:46
Nenad Rashiq

Partia serbe Za Slobodu Pravdu i Ostanak (SPO) ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa ligjore për cenim të votave gjatë procesit zgjedhor të 9 shkurtit, por nuk ka treguar nëse do të bëhet fjalë për Listën Serbe të dirigjuar nga Beogradi.

Nenad Rashiq, kryetar i kësaj partie, ka paralajmëruar se autorët e parregullsive do të ndiqen penalisht dhe ndaj tyre do të ngrihet kallëzim penal, për të mbrojtur vullnetin e zgjedhësve dhe për të ruajtur integritetin e procesit zgjedhor.

“Rasti i parë ka të bëjë me komisionin e vendvotimit në Novobërdë, vendvotimin 1404, fshati Bostane, i cili është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit të vendvotimit, ku jemi dëmtuar me 9 vota. Në procesverbal thuhej se kishim zero vota, ndërsa numërimi i sotëm nga komisioni komunal i numërimit të votave konstatoi se në atë pozitë kishim 9 vota”, ka shkruar ai në Facebook.

Rashiq ka thënë se kanë gjetur parregullsi që cenojnë rëndë drejtësinë e zgjedhjeve dhe vullnetin e disa qytetarëve.

“Disa nga qytetarët që kanë përkrahur opsionin tonë politik nuk kanë pasur mundësi që zëri i tyre të njihet siç duhet. Në hapat e ardhshëm do të veprojmë në përputhje me ligjin. Vendosmëria jonë për të mbajtur drejtësinë do të jetë e palëkundur, sepse vetëm përmes zgjedhjeve të ndershme mund të garantojmë përparimin e komunitetit”.

Rezultatet preliminare të KQZ-së, pas numërimit të 99.72 për qind të votave, tregojnë se për partinë Za Slobodu Pravdu i Ostanak kanë votuar 3 mijë e 960 qytetarë ose 0.47 për qind, ndërsa Lista Serbe, e afërt me Beogradin zyrtar, ka marrë 4.55 për qind ose 38 mijë e 83.

Serbët kanë dhjetë ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat pas zgjedhjet 2021 i takuan Listës Serbe, pas presionit të Beogradi zyrtar ndaj serbëve lokalë të Kosovës që të mos votojnë subjektet e tjera politike serbe, por të ndjekin politikat e dirigjuara nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.  

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat