Këtë fundjavë, e gjithë vëmendja do të jetë e drejtuar nga jugu i Gjermanisë, ku liderët botërorë mblidhen në Konferencën treditore të Sigurisë në Mynih.
Atje pritet të ketë deklarata dhe diskutime në nivele të larta, në aspektin e gjeopolitikës së sigurisë, duke përfshirë, Rajonin dhe Kosovën. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, po marrin pjesë krerët e shtetit, presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Kosova do të përfitojë nga ky samit me takimet, analizat, rekomadimet që pritet të dalin, që mund të zbatohen nga institucionet e sigurisë, për të parandaluar rreziqet që mund të vinë kryesisht nga Serbia, vlerësojnë ekspertet e sigurisë.
Lufta hibride është rreziku që shfaqet gjithnjë e më shumë. Drejtori i Instituti për Studime të Luftës Hibride, OCTOPUS, Arben Fetoshi, thotë se kjo platformë e sigurisë është shumë e rëndësishme.
Fetoshi thekson se aty do të marrim përgjigje lidhur me prezencën ushtarake të Amerikës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Konferenca e Sigurisë në Mynih, e themeluar në vitin 1963, është një platformë e pavarur, e cila synon promovimin e zgjidhjeve paqësore të konflikteve, dialogut ndërkombëtar dhe bashkëpunimit mes shteteve.