Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj ishte i pranishëm në pritjen e zhvilluar nga ambasada e Prishtinës në Tiranë, me rastin e 17 shkurtit, ditës së Pavarësisë.
Ndërsa vlerëson rolin e Ibrahim Rugovës, si lider dhe President historik i Kosovës, Adem Demaçit dhe luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përballje me një regjim kriminal tëi ish- Jugosllavisë, presidenti Begaj i bën apel dhe Bashkimit Evropian që të lehtësojë raportet me Kosovën, gjithashtu dhe vendeve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën, të mos vonojnë që ta njohin atë.
“Urime ditën e Pavarësisë! Kosova e fitoi pavarësinë e saj përmes rezistencës paqësore të burrave të mençur, si Ibrahim Rugova lider dhe President historik i Kosovës, Adem Demaçit dhe luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përballje me një regjim kriminal të ish- Jugosllavisë. Ajo u ndërtua mbi sakrificat e mijëra burrave dhe grave që guxuan të ëndërrojnë një të ardhme në liri dhe më të mirë për fëmijët e tyre”, tha Begaj.
Ai tutje shtoi se: “Ajo u pagua me gjakun e dëshmorëve, me lotët e nënave, me dhimbjen e të shpërngulurve dhe ende të pagjeturve dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë para padrejtësisë dhe gjenocidit. Kauza e Kosovës bashkoi shtete e kombe. Ndërhyrja e NATO-s është shembulli unik i reagimit dhe suksesi në mbrojtje të humanizmit dhe jetëve njerëzore. Kjo pavarësi e Kosovës e arritur me gjak e sakrifica, duke patur në krah aleatët tanë dhe të duhurit, bëhet edhe më madhështore. Pavarësia e Kosovës është pjesë e themelit të paqes në rajonin tonë dhe, si e tillë, mbetet një shtyllë e rëndësishme e sigurisë evropiane.
Begaj potencoi se Shqipëria e Kosova janë dy shtete të një kombi, kombit shqiptar.