Policia jep detaje nga arratisja e të pandehurit nga Pallati i Drejtësisë

Aktuale

Policia jep detaje nga arratisja e të pandehurit nga Pallati i Drejtësisë

Më: 15 shkurt 2025 Në ora: 09:15
Foto ilustrim

Një i dyshuar për lëndim të rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje, është arratisur nga Pallati i Drejtësisë, të premten pasi i është caktuar masa e paraburgimit në seancë dëgjimore.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.H. dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse i pandehuri L.H. lihet në liri, i njëjti mund të jetë i paarritshëm për të zhvilluar procedurën penale”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurit L.H., ka marr informacion se i njëjti pasi që ka pranuar aktvendimin për caktim të paraburgimit, ka arritur që t’i ik Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë kompetent për ta siguruar rastin”.

Ndërsa, policia ka dhënë detaje shtesë lidhur me rastin, ku i dyshuari gjatë arratisjes ka sulmuar zyrtarin policor i cili ka pranuar tretman mjekësor.

“Pallati i Drejtësisë Hajvali, Prishtinë 14.02.2025 – 12:15. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, derisa ka qenë duke u shoqëruar nga dy zyrtarë policorë pas seancës gjyqësore është arratisur dhe larguar në drejtim të panjohur. I dyshuari gjatë arratisjes ka sulmuar njërin prej zyrtarëve policor i cili ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e policisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat