Paralajmërimi për funksionalizim të dialogut Kosovë-Serbi, nga shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas po mirëpritët në Kosovë. Megjithatë, ngritën shqetësime nëse në Kosovë mund të merren vendime të mëdha para themelimit të qeverisë së re, si dhe krizën politike në Serbi. Sipas njohësve të procesit të dialogut, gjatë muajit mars mund të ketë lëvizje në drejtim të dialogut, nëse veçse konfirmohet koalicioni i ri qeverisës në Kosovë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih të Gjermanisë, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, në takime të ndara, të premten kanë diskutuar me përfaqësuesin e ri special të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen.
Në takim me Sorensen, Kurti ka theksuar se Serbia ka shkelur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, derisa ka shtuar se për të ecur përpara në dialog, Serbia duhet të nënshkruajë marrëveshjen, ta tërheqë letrën e ish-kryeministres drejtuar Bashkimit Evropian dhe ta dorëzojë kryeterroristin, Milan Radoiçiq i cili është përgjegjës për sulmin terrorist serb në Banjskë në vitin 2023.
Në lidhje me këto, analisti politik, Seb Bytyqi, thotë për KosovaPress, se për një lëvizje serioze në dialog duhet të ketë një konfirmim për koalicionin e ri qeverisës në Kosovë. Sipas tij, përkundër paralajmërimit të Kallas për funksionalizim të dialogut në muajin mars, zgjedhjet në Gjermani, por edhe kriza politike në Serbi, ku ka dhënë dorëheqje kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, mund të ndikojnë në ecjen përpara në dialog.
Bytyqi: Mund të ketë lëvizje në dialog, mirëpo duhet të pritet konfirmimi i koalicionit të ri qeverisës
“Do të ketë disa lëvizje(në dialogun Kosovë-Serbi), por për një lëvizje serioze duhet të pritet konfirmimi i koalicionit të ri. Edhe nëse nuk ndodh votimi i qeverisë së re duhet të pritet ai koalicion që të ketë lëvizje serioze. Mos të harrojmë se kemi edhe sezon zgjedhore në Evropë, veçmas në Gjermani dhe Francë. Po ashtu e kemi edhe krizën politike në Serbi. Kështu që nuk janë vetëm zgjedhjet në Kosovë por edhe situatat në shtetet të tjera që ndikojnë në këtë proces. Mirëpo pritet që së shpejti të ketë lëvizje nga Komisioni Evropian. Shpresojmë që kanë reflektuar dhe se do të ketë një propozim më realist për zbatimin e marrëveshjeve(Kosovë-Serb)”, thekson Bytyçi.
Ndërkaq, politologu, Artan Muhaxhiri është më skeptik se mund të ketë progres në dialog gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, Kosova por as Serbia s’mund të marrin vendime të mëdha për një kohë të caktuar deri në konsitutimin e institucioneve të reja në Kosovë dhe tejkalimin e krizës politike në Serbi.
Ai vë në pah edhe rëndësinë që ShBA-ja, me administratën Trump do të kenë në këtë proces.
Muhaxhiri: Kosova dhe as Serbia nuk mund të marrin vendime të mëdha në dialog edhe për një kohë të caktuar
“As Kosova dhe as Serbia nuk mund të marrin vendime të mëdha edhe për një kohë të caktuar. BE-ja i ka binarët me të cilët ecë me inercion, pra s’mund të ketë ndryshime të mëdha. Por një faktor i ri që do të ketë ndryshim është administrata Trump e cila ka dëshmuar një interes për rajonin. Sapo të largohen nga tavolinat e diskutimeve cështja e Gazës dhe Ukrainës mendoj se një fokus do të ketë edhe Ballkani. Atëherë çdo gjë do të jetë e paparashikueshme siç është fryma politike e administratës Trump. Është humbur një rast i mirë me administratën Biden pasi ka mundur të kryhet në mënyrë elegante. Tani me Trump çdo gjë do të jetë e paparashikueshme pasi mund të ketë përfitime të mëdha por edhe humbje të mëdha. Prandaj për këto arsye konsideroj se dialogun po e pret një paqartësi e madhe”, thekson Muhaxhiri.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka thënë gjatë kësaj jave se bashkë me të dërguarin e ri për dialogun, Peter Sorensen, do të tentojnë ta bëjnë funksional dialogun Kosovë-Serbi.
Diplomati danez, Peter Sorensen ka marrë detyrën si përfaqësues special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, më 1 shkurt të vitit 2025.
Gjatë mandatit të ish-emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo që e njëjta ende s’ka gjetur zbatim.