Ditën e dytë të pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e vijoi me takimin me ministrin kroat të Mbrojtjes, Ivan Anusic.
Zyra e kryeministrit njofton se krahas marrëdhënieve bilaterale, bashkërendimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit të deritanishëm në fushën e mbrojtjes, diskutuan rreth mundësive të reja për bashkëpunim në fushën e industrisë së mbrojtjes.
“Kryeministri falënderoi shtetin kroat dhe ministrin Anusic për raportet e shkëlqyera dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës. Ai u shpreh se me Kroacinë ndajmë vlerat dhe këndvështrimin mbi situatën gjeopolitike si dhe pajtohemi për historinë, dhe se Kosova dhe Kroacia janë vende mike, partnere dhe aleate”, bëhet e ditur në njoftim.
Kryeministri gjithashtu e falënderoi ministrin Anusic për marrëveshjen në mes dy ministrive të Mbrojtjes për trajnimin dhe edukimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake “Dr. Franjo Tudman”.