Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adnan Hyseni, përmes një letre publike ka shprehur pakënaqësitë e tij lidhur me vendimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë marrë vendim të mos bashkëpunojnë me Qeverinë lidhur me festimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Hyseni thotë se nuk i pëlqen bojkotimi i festës së pavarësisë nga OVL-UÇK, duke shkruar tutje se festa është e rëndësishme, e për të cilën u derdh shumë gjak.
“Si veteran i UÇK-së ( i cili nuk merr pagë të veteranit) nuk po më pëlqen bojkotimi i festimit të pavarësisë së atdheut më 7 shkurt 2025, pjesëmarrja e OVL-UÇK-së është obligim i përfaqësimit të të gjithë neve, sepse na takon dhe e meritojmë që në ato karrige të jenë përfaqësuesit tanë (OVL e UÇK-së). Në këtë festë të rëndësishme për të cilën u derdh shumë gjak edhe pse jo të gjithë e kemi mundësinë të jemi aty fizikisht, por shoqatat e luftës sublime duhet të jenë aty duke na përfaqësuar dinjitetshëm edhe neve”, thuhet në letrën e tij.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/15/auto_480476930_9479469308771396_6388977388550291480_n1739632336.jpg)
Hyseni mes tjerash ka shkruar se festa e pavarësisë së Kosovës nuk është festë politike por festë kombëtare.
Ndryshe, kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ditë më parë ka marrë vendim që të mos bashkëpunojë me Qeverinë lidhur me festimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Në vendimin e OVL e UÇK-së thuhet se ky vendim vjen pasi sipas tyre Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka treguar asnjëherë gatishmërinë që të bashkëpunojë.