​KQZ ende nuk ka përditësuar rezultatet për subjektet politike

Aktuale

​KQZ ende nuk ka përditësuar rezultatet për subjektet politike

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 13:54
Grafika e KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ende nuk ka përditësuar rezultatet për subjektet politike në ueb-faqen e tyre zyrtare, pavarësisht se me procesin e numërimit të votave për deputetë, që ka përfunduar në 46.19% të vendvotimeve, po rinumërohen edhe votat për subjektet politike.

KQZ postimin e fundit e bëri më 12 shkurt, në orën 22:15, ku janë rezultatet e subjekteve politike nga numërimi i 99.72% e votave, dhe se që atëherë nuk ka pasur asnjë informacion të ri në platformën zyrtare.

Zëdhënësi për media i KQZ-së, Valmir Elezi, ditë më parë ka sqaruar se arsyeja pse ende nuk janë publikuar rezultatet preliminare për 212 vendvotime është fakti se, pas numërimit të votave për subjektet politike, materiali zgjedhor, përfshirë edhe formularët e rezultateve, janë vendosur brenda kutive të votimit dhe jo mbi to, siç parashihet në procedurë.

E rezultatet për subjektet politike pritej të ndryshonin me fillimin e numërimit të votave për deputet, më 11 shkurt, ku edhe bëhet rinumërimi për subjektet politike. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur ende.

Përndryshe, KQZ ka bërë të ditur se deri më 15 shkurt në orën 16:00 janë numëruar votat për kandidatët për deputetë në 46.19% të vendvotimeve, apo, 1,170 nga gjithsej 2,533 vendvotime.

Procesi i numërimit të votave tashmë ka përfunduar në nëntë Qendra Komunale të Numërimit si në Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Në bazë të rezultateve të fundit të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson me 40.84% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.67% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.45%.

Aktualisht, rinumërimi po bëhet vetëm për kandidatët për deputetë dhe subjektet politike, ndërsa numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës pritet të fillojë pas një kohe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat