Ngecjet që pati Kosova në 17 vjet shtet-ndërtim

Aktuale

Ngecjet që pati Kosova në 17 vjet shtet-ndërtim

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 15:07
Foto ilustrim

Sigurimi i njohjeve të reja, mos anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, institucione të sigurisë, ftohja e raporteve me SHBA-të e mos zbatimi i disa ligjeve dhe nevoja e krijimit të disa ligjeve të reja konsiderohen të jenë çështje kryesore që përcjellin shtetin e Kosovës edhe 17 vjet pas pavarësisë.

Njohës të rrethanave aktuale e përshkruajnë periudhën e shtet-formimit si periudhë të mundësive të jashtëzakonshme, por të arritjeve modeste. Ndërkaq, vlerësohet se procesi politik ka kaluar me zigzage të mëdha e turbulenca dhe se ka ende shumë punë për të bërë si shtet në tranzicion.

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu tha për KosovaPress se pengesat gjatë këtyre viteve janë mos anëtarësimi në Këshillin e Evropës, NATO, OKB dhe Interpol. Përveç kësaj, ai përmendi edhe telashet e vazhdueshme me Serbinë.

Kryeziu: Kemi probleme me institucione të sigurisë, respektivisht Interpolin

“Ne si shtet ende jemi në tranzicion. Shtetet tranzicionale gjatë historikut të tyre kanë pasur batica dhe zbatica...Ka ende punë, jemi ende në tranzicion... Vetëm asaj anës faktike na mungon edhe njohja juridike e disa shteteve tjera. Po ashtu, mungesa e shtetit është se nuk është e konsoliduar në institucionet ndërkombëtare. Ende nuk kemi hyrë në Këshillin e Evropës, NATO, OKB. Po ashtu, kemi probleme edhe me disa institucione të sigurisë, respektivisht Interpolin të cilin disa herë kemi bërë përpjekje që të jem edhe pjesë e Interpolit... Ne kemi problem ende me Serbinë në arenën ndërkombëtare, po ashtu, edhe brenda për brenda, përmes minoriteteve, të cilët nuk janë shumë konstruktiv në njohjen e shtetit dhe integrimin e tyre po shkon bukur vështirë”, thotë Kryeziu.

Kryeziu potencon se Kosova ka shumë nevojë për njohje të reja të shteteve, për çka thotë se Ministria e Punëve të Jashtme ka ngecur në këtë proces.

Kryeziu: Ministria e Jashtme ka ngecur në sigurimin e njohjeve të reja

“Çështjet e anëtarësimit duhet të shkojnë në mënyrë graduale dhe të natyrshme. Por, institucionet tona janë të detyruara, kanë obligime kushtetuese dhe ligjore që t’i ndihmojnë këto procese. Sidomos katër dikasteret shtetërore - Ministria e Punëve të Brendshme, të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Drejtësisë - kanë përgjegjësi shumë më të madhe se janë katër shtyllat e shtetit për të funksionuar si duhet. Ne kemi ngecur sidomos në Ministrinë e Jashtme pasi në 5 vjetët e fundit nuk e kemi asnjë njohje nga shtete të tjera që kemi shume nevojë”, potencon Kryeziu.

Përveç tjerash, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu përkujton se gjatë këtyre 17 vjetëve Kosova ka pasur telashe në zbatimin e disa ligjeve.

Kryeziu: Ligjet që nuk janë strukturuar si duhet pengojnë zhvillimin e shtetit

Kemi pasur telashe për zbatimin e ligjeve, jo të gjitha, por të disa ligjeve. Për krijimin e institucioneve të reja kemi pasur telashe. Pastaj, ligjet nuk kanë qenë të strukturuara mirë nga organet profesionale. Pastaj, këto ligje të cilat nuk kanë qenë të strukturuara mirë janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese, pastaj gjykata i ka kthyer për t'i përmirësuar. Këto ligje kanë penguar zhvillimin e shtetit... Kosova duhet të ketë ligje dhe të formohen. Për shembull skema pensionale ka telashe që hyjnë problemet e policisë, ushtrisë, pensionistëve dhe kategorive të ndryshme. I mungon një ligj për skemat pensionale ashtu si duhet...Kemi pak problem me ligjin për konfiskimin e pasurisë së justifikueshme. Ky ligj duhet të kalojë, por duhet t’iu përshtatet rrethanave dhe situatave në Kosovë. Mund të jetë ligj i njëjtë me ligjet tjera”, tha Kryeziu.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti thekson nevojën e një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke me Serbinë, që sipas tij që do të hapë perspektivën për të funksionuar në skenën ndërkombëtare.

Në prag të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Hoti vlerëson shqetësuese ftohjen e raporteve me aleatin kryesor - SHBA-në.

Hoti: Ftohja e raporteve me SHBA mund të ketë pasoja

“Mendoj që janë anëtarësimi i vendit nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare, çështja e mungesës së njohjeve të cilët janë po ashtu parakusht për të ecur tutje. Rregullimi respektivisht marrëveshja përfundimtare me njohje të ndërsjellë me Republikën e Serbisë që do të hapte më pastaj perspektiva për të funksionuar krejtësisht normal në skenën ndërkombëtare dhe një listë e çështjeve të tjera që janë kryesisht të karakterit të brendshëm… Është lajm i keq dhe shqetësues fakti i ftohjes së raporteve me (SHBA-në) sepse shtetet gjithandej e me theks të veçantë shtetet e vogla kanë interesat e tyre vitale për të ruajtur dhe kultivuar raportet me aleatët strategjikë. Në këtë drejtim, raporti me SHBA-në është rrugë një drejtim dhe pa alternativë. Çdo ftohje e këtyre raporteve normalisht që nuk kalon pa konsekuenca”, tha Hoti.

Profesori Hoti thotë se gjatë kësaj periudhe, arritjet e shtetit të Kosovës krahas mbështetjes nga shtetet mike, kanë qenë modeste.

Hoti: Procesi politik ka kaluar me turbulenca të pazakonta për një vend të vogël

“Procesi politik ka kaluar me zigzage të mëdha, me turbulenca, shpesh edhe të pazakonta për një vend të vogël. Unë do ta përshkruaja këtë periudhë kohore si periudhë e mundësive të jashtëzakonshme, por e arritjeve modeste. Nuk mund të themi se nuk është bërë asgjë, por nëse kthehemi në retrospektivë dhe shohim mbështetje aq të fuqishme që kemi pasur nga shtetet mike, vërtet nuk është arritur aq sa duhet”, tha Hoti.

Ndër të tjera, Hoti shprehet se në kuptimin e marrëveshjeve, Kosova nuk e ka pasur dhe nuk e ka ende pozicionin që e meriton. Sipas tij, shteti ynë ka pasur mungesë të marrëveshjeve të cilat do të konsolidonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Ai shton se edhe ato marrëveshje të cilat janë arritur ose janë zbatuar shumë pak e zbehin imazhin dhe pengojnë konsolidimin e mëtutjeshëm të vendit tonë.

Kosova më 17 shkurt 2008 u shpall shtet i pavarur, duke u njohur nga më shumë se 110 shtete të botës. Njohja e fundit ka ardhur nga shteti i Izraelit para pesë vjetësh. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat