Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 16.02.2025, ka pranuar letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Vitin e kaluar e para e shtetit kishte pranuar urime për nder të Ditës së Pavarësisë edhe nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden.
Megjithatë, mesazhet e dërguara nga presidentët amerikanë dallojnë në disa pika.
Derisa ish-presidenti Biden kishte thënë se “SHBA-ja fuqishëm e mbështet një Kosovë multietnike”, Trump nuk e përmend fare termin ‘shtet multietnik’, por thotë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku”.
Mesazhi i tyre dallon edhe sa i përket çështjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Vitin e kaluar Biden ka shkruar se SHBA-ja vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quante si “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.
Biden inkurajonte lidershipin e Kosovës që t’i përmbushnin të gjitha obligimet, përfshirë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të arritura përmes këtij procesi.
Ndërsa, presidenti Trump në urimin e tij nuk e përmend procesin e dialogut dhe as obligimet e palëve në këtë proces.
Trump ka thënë se “do të punojnë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt”.
Letra e presidentit Trump po ashtu, është më shumë e fokusuar në promovimin e lidhjes ekonomike mes dy vendeve.
“Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona”- thuhet në letrën e Trumpit.
Në mesazhet e tyre, edhe Biden edhe Trump kanë theksuar rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës.
Ndërsa, të dy po ashtu kanë theksuar se vlerësojnë mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës në luftën kundër Rusisë, njofton Kallxo.
Letra e plotë e Trump më 2025:
E nderuara zonja Presidente,
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për ju dhe popullin kosovar ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Rrugëtimi i Kosovës si komb sovran është shënuar me qëndrueshmëri dhe vendosmëri.
Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, pasi ajo forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi.
Shtetet e Bashkuara mezi presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin e ardhshëm. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.
Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një kohë për të nderuar arritjet e kaluara, si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritshme dhe lidhjeve më të thella ndërmjet kombeve tona.
Dërgoj urimet e mia më të mira për popullin e Kosovës në këtë ditë feste.
Letra e plotë e Biden më 2024:
E nderuara zonja Presidente:
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës teksa nderoni ditën tuaj të pavarësisë më 17 shkurt.
Kosova dhe SHBA-ja ndajnë një miqësi të qëndrueshme dhe partneritet – të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, të sigurt dhe të suksesshëm. SHBA-ja fuqishëm e mbështet një Kosovë multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike. Ne po ashtu vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet e dialogut të lehtësuara nga BE-ja për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse me Serbinë – një hap i rëndësishëm përpara njohjes reciproke në fund (të procesit). Bashkë me vendet e rajonit dhe botës, SHBA-ja e inkurajon lidershipin e Kosovës që t’i përmbushë obligimet e tij, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.
Në vitin e ardhshëm, pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Gjithashtu, pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht qëllimin e Kosovës për integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë, përfshirë duke qëndruar së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë.