Mattarella uron Osmanin për 17-vjetorin e Pavarësisë: Italia mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës
Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, duke shprehur përkushtimin e Italisë për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen për stabilitetin dhe integrimin evropian të Kosovës.
Në mesazhin e tij, Presidenti Mattarella ka theksuar se të dy shtetet kanë fuqizuar miqësinë vazhdimisht gjatë viteve, falë edhe kontributit të palëkundur të Italisë për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës.
“Republika e Italisë mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës, duke mbështetur përparimin e saj drejt integrimit euroatlantik dhe fuqizimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në urimin e Presidentit Mattarella.
Vjen edhe urimi i presidentit gjerman për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Presidentja e së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar një urim për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
Në urim, presidenti Steinmeier ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për pavarësinë dhe rrugën evropiane të Kosovës, duke rikujtuar se shteti i tij në shkurt 2008, ishte ndër vendet e para që njohu shtetin e Kosovës.
“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”, thuhet në urimin e Presidentit Steinmeier.
Në komunikatën për media thuhet se Steinmeier ka potencuar se në çështjet e politikës së jashtme, Kosova është pozicionuar qartësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, veçanërisht në mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë, në shkelje të të drejtës ndërkombëtare.
“Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian..”, thuhet në urim.
Në fund të urimit të tij, Steinmeier ka theksuar se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës, duke përkrahur stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin evropian.
Gjatë ditës së sotme, me rastin e pavarësisë, Osmani ka pranuar urime edhe nga presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, nga Mbreti Charles III si dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Macron uron Osmanin për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, ka uruar Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani duke rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, thuhet në urimin e Macron.
Më tej, në urim shfaqi shpresën që të dy shtetet të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë.
“Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë”, thuhet në urim.
Në këtë urim, Presidenti Macron ka falënderuar Presidenten Osmani për pjesëmarrjen në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame.
“Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, ka shkruar ndër të tjera në urimin e tij, Presidenti Macron.