Fluks në Morinë, 17-vjetorin e pavarësisë qytetarët e Kosovës e festojnë në Shqipëri

Aktuale

Fluks në Morinë, 17-vjetorin e pavarësisë qytetarët e Kosovës e festojnë në Shqipëri

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 19:46
Fluks në Morinë

Kjo e dielë ka shënuar një fluks të lëvizjes së mjeteve dhe qytetarëve në të dy anët e kufirit të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Lëvizje më së shumti janë shënuar këtë pasdite. Dhjetëra automjete me targa të Kosovës po hyjnë për në Shqipëri përmes doganës së Morinit.

Me sa duket qytetarët e Kosovës duan ta festojnë 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Shqipëri. E hëna e 17 shkurtit është ditë pushimi në Kosovë. Fluksi i mjeteve është edhe i kthimit të qytetarëve të Shqipërisë që këtë fundjavë e kaluan në Prizren dhe pikat turistike dimërore të Kosovës.

Fluks ka edhe në hyrje për në Kosove ku janë vërejtur mjete me targa të vendeve të BE-së pasi emigrantët kosovarë ndonëse në numër të vogël kanë ardhur në vendlindje për të festuar 17 shkurtin.

Policitë kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës po zbatojnë marrëveshjen e lëvizjes pa kontrolle për mjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa për ato me targa të huaja kontrolli është me procedurë të përshpejtuar. Edhe në orët e para të kësaj të diele ka patur fluks në të dy anët e kufirit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat