Baraliu: Në këto zgjedhje të gjitha partitë janë humbëse, duhet një qeveri e unitetit

Aktuale

Baraliu: Në këto zgjedhje të gjitha partitë janë humbëse, duhet një qeveri e unitetit

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 20:44
Mazllum Baraliu

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mazllum Baraliu, ka bërë thirrje për unitet kombëtar mes forcave politike në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit, duke theksuar se asnjë parti nuk ka dalë realisht fituese.

Sipas Baraliut, partitë opozitare kanë pësuar humbje, pavarësisht një rritjeje të lehtë, ndërsa partia fituese ka marrë më pak vota krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë se qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë edhe për qeverinë: ‘Nuk jeni duke qeverisur mirë’. Prandaj, duhet të bashkohen, sepse bashkimi sjell fuqi”, u shpreh ai.

Në lidhje me temën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Baraliu tha se Kosova nuk duhet të japë më shumë koncesione, duke theksuar se “sado të lëshojë pe, bashkësia ndërkombëtare nuk do të japë më shumë në këmbim”.

Ai po ashtu përmendi çështjet kushtetuese, duke kujtuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese në të kaluarën kanë konstatuar shkelje në marrëveshjet me Serbinë.

“Kushtetuta nuk parashikon as komandantë serb në veri, as gjykata të apelit serbe. Megjithatë, ne po e shkelim Kushtetutën”, theksoi Baraliu.

Sa i përket formimit të qeverisë së re, ai vlerësoi se asnjëra palë nuk ka shumicën e duhur për të qeverisur e vetme. “Me votat e diasporës dhe votat me kusht, Vetëvendosja mund të fitojë një ose dy mandate më shumë, por nuk mjafton për shumicën absolute. Edhe opozita nuk i ka numrat. Prandaj, mundësia për një qeverisje të pakicës është shumë e vogël dhe e vetmja zgjidhje mbetet bashkimi i forcave politike”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat