Me aleatët prapa vetes, Kosova ndër vite arriti të forcojë themelet e shtetësisë. Për 17 vjet, 117 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, teksa vendi ka arritur që të bëhet edhe pjesë e disa prej organizatave ndërkombëtare. E përpjekjet drejt proceseve integruese po vazhdojnë edhe më tej.
Përpjekjet për liri 17 vjet më parë, u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Rrugëtimi i popullit shqiptar deri në këtë datë u përcoll me sakrifica të shumta, e gjaku i shumë trimave u bë simbol i qëndresës heroike. Themelet e para të shtetit u vendosën, e u bënë edhe më të forta nga mbështetja e aleatëve të shtetit. 117 shtete i qëndruan prapa Kosovës e mbështetën krijimin e një shteti të pavarur.
Kosta Rika ishte shteti i parë që njohu pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të 2008-ës.
Një ditë pas, njohjet nisën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Shqipëria, Turqia, Britania e Afganistani.
Dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, numri i shteteve njohëse shkoi në 9-të me Australinë e Republikën e Senegalit.
Deri në fund të 2008-ës, 53 shtete gjithsej njohën Kosovën si shtet të pavarur. Numri i shteteve njohëse u rrit gjatë viteve pasuese. Shteti i fundit që njohu pavarësinë ishte Izraeli më 1 shkurt të 2021-ës.
Megjithatë në vitet e fundit pati ngecje në këtë drejtim, e këtu rol luajti edhe propaganda serbe. Gjatë gati dy dekadave, Kosova ndërmori hapa edhe rreth anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ndonëse ende nuk i është dhënë drita e gjelbër nga BE, Këshilli i Evropës e NATO.
Mirëpo, vendi ka arritur të anëtarësohet në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Federatën Ndërkombëtare të Futbollit, në Komitetin Olimpik, në Organizatën Botërore të Doganave e organizata te tjera.
Së fundmi, Kosova ka arritur edhe marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.
Një nga arritjet më të rëndësishme të vendit ishte edhe ai i janarit të 2024-ës, kur qytetarët nisën të udhëtojnë pa viza.
Kosova do të vazhdojë edhe më tej përpjekjet drejt proceseve integruese e thellimit të bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë..