Siguria në Fushë Kosovë është përmirësuar

Aktuale

Siguria në Fushë Kosovë është përmirësuar

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 21:44
Ilustrim

Rritja e numrit të banorëve kishte rritur edhe krimet dhe dukuritë negative në komunën e Fushë Kosovës. Por, sipas policisë, pavarësisht rritjes së popullsisë, niveli i sigurisë është përmirësuar, ndërsa veprat penale kanë rënë me 19% në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023.

Me mbi 64 mijë banorë, Fushë Kosova mbetet një ndër komunat më të populluara në Kosovë.

Banorët thonë se ndihen më të sigurt megjithëse numri i veprave penale dhe krimeve kishte shënuar rritje në vitet para 2024-s.

“Unë personalisht për veti ndihem shumë i sigurt, si mos të bësh problem s’ke për të pasur problem me askënd”, tha një qytetar

“Siguri si te baba im kur shkoj, si në Fushë Kosovë, njëjtë e kam”, tha një tjetër.

Përmirësimi i sigurisë konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare. Sipas komandantit të stacionit policor në Fushë Kosovë, Bekim Zogiani, veprat penale në vitin 2024 kanë rënë me 19% krahasuar me një vit më parë.

“Me rëndësi është që gjatë vitit 2024 nuk është shënuar asnjë rast i vrasjeve, që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2023, kemi pasur dy raste. Po ashtu, lëndimet e rënda trupore kanë rënë për 37%, ndërsa lëndimet e lehta për 4%. Rastet e vjedhjeve kanë shënuar rënie prej 46%, ndërsa vjedhjet e rënda janë ulur me 40%.”, tha Zogiani.

Ai shtoi se edhe fillimi i vitit 2025 po e ndjek këtë trend pozitiv, krahasuar me vitin e kaluar.

 “Edhe ky vit ka filluar mbarë, ne janarin e këtij viti po ashtu një rënie të numrit të rasteve të raportuara deri në 30%, 144 kanë qenë vitin e kaluar, ndërsa këtë vit kemi të evidentuara 100 raste”, potencoi Zogiani.

Për rezultatet e arritura në aspektin e sigurisë, Fushë Kosova mori edhe mirënjohje nga Policia e Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat