Sekretari amerikan i Shtetit uron për pavarësi: SHBA me krenari e ka mbështetur rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë shtet sovran

Aktuale

Sekretari amerikan i Shtetit uron për pavarësi: SHBA me krenari e ka mbështetur rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë shtet sovran

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 09:13
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar Kosovën me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatshëm.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju shpreh urimet e mia për rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës – një ngjarje për të reflektuar mbi qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një shtet sovran, demokratik, shumëetnik dhe të begatshëm. Paqja, siguria dhe zhvillimi ekonomik rajonal mbeten thelbësorë për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës. Ndërsa festoni pavarësinë tuaj, nderojmë miqësinë dhe vlerat e përbashkëta ndërmjet popujve tanë”, thuhet në urim.

Edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dje ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.

“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, thuhet në mesazhin e tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat