Ahmeti uron Pavarësinë: Kosova s’ka alternativë veçse të ecë përpara

Aktuale

Ahmeti uron Pavarësinë: Kosova s’ka alternativë veçse të ecë përpara

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 10:33
Ali Ahmeti

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka uruar përvjetorin e 17-të të Pavarësisë së Kosovës, duke kujtuar sakrificën e veprimtarëve deri në shtet ndërtim.

“Pavarësia e Kosovës është simbol i sakrificës, guximit dhe qëndresës së popullit shqiptar, i cili, me përpjekjet ndër breza, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me jetët e mijëra dëshmorëve dhe martirëve, arriti të realizojë ëndrrën e tij për liri dhe pavarësi. Ky proces i lavdishëm ka qenë i mundur gjithashtu falë mbështetjes së palodhur të aleatëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Ahmeti.

Tutje ai ka thënë se mirënjohja ndaj aleatëve konkretizohet në bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Europian, për përballimin e sfidave të zhvillimit dhe për avancimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

“Kosova, pa dyshim, nuk ka alternativë tjetër, përveçse të ecë përpara në forcimin e shtetit të saj, duke siguruar avancimin e shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut”, ka dhënë porosi Ahmeti.  

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat