Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë ka uruar gjithë qytetarët.
Ai pas homazheve në Kompleksin Memorial "Adem Jashari", derisa ka kujtuar sakrificen e atyre që kanë dhënë jetën për liri, ka nënvizuar se secili në këtë ditë duhet të frymëzohet e zotohet për të punuar më shumë për Kosovën.
Ai ka kujtuar edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, duke uruar që ky të jetë viti i fundit që shënohet dita e pavaresisë pa prezencën e tyre.
Krasniqi: Në këtë festë të madhe për vendin tonë, uroj gjithë qytetarët e Kosovës
“Në këtë festë të madhe për vendin tonë, uroj gjithë qytetarët e Kosovës kudo që janë, gëzuar ditën e pavarësisë. Është një ditë e cila ka përmbyllur sakrificën e madhe të gjeneratave duke realizuar kërkesën që ka pasur populli ynë për dekada dhe secili prej nesh në këtë ditë duhet të frymëzohet e zotohet për të punuar më shumë për vendin tonë dhe për të bërë Kosovën tonë më të mirë. Shfrytëzoj rastin që para së gjithash këtë ditë t’ua uroj miqve tanë, liderëve dhe udhëheqëseve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë, filluar nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari Kadri Veseli, kryetari Jakup Krasniqi, deputeti Rexhep Selimi dhe gjithë të tjerët me urimin që të jetë ky viti i fundit që shënojmë ditën e pavarësisë pa prezencën e tyre”, tha Krasniqi.
Për shënimin e ditëlindjes së 17 të shtetit të Kosovës sot janë organizuar një sërë aktivitetesh përfshirë homazhe e ngjarje kulturore.
17 vite më parë, saktësisht në ora 15:39 në një seancë të Kuvendit të Kosovës u bë shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Në seancën historike morën pjesë 109 deputetë, nga 120 sosh, të cilët e nënshkruan edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetët serb.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.