OVL-UÇK: Kurti s’ka qenë bashkëpunues me veteranët

Aktuale

OVL-UÇK: Kurti s’ka qenë bashkëpunues me veteranët

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 10:53
OVL-UÇK

Organizatat e dala nga lufta kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ata kritikuan kryeministrin Albin Kurti, për të cilin thanë se s’ka bashkëpunuar në asnjë moment me veteranët.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se ata nuk e bojkotojnë festën e Pavarësisë, por theksoi se nuk kanë marrë pjesë në Këshillin Organizativ për shënimin e kësaj 17-vjetorit të shtetësisë.

Ai iu uroi 17 shkurtin të gjithë familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve, teksa përmendi edhe ish krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Gucati: Është e pavërtetë e madhe që veteranët bojkotojnë festën e Pavarësisë

“Këtë ditë, 17 shkurtin, së pari dua t’ia uroj familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve, por edhe shokëve që i kemi në Hagë. Njeri që ka qenë protagonist, zotëri Thaçi dhe që mungon, ne sot nuk ndihemi mirë dhe as të gëzuar. Emocionet janë të mëdha duke ditur që kemi në burg, bacën Jakup, Rexhen dhe Kadrinë. Kjo ditë nuk na mburrë shumë marrë parasysh se jemi të cunguar pa ata burra. Ne kemi bojkotuar Këshillin Organizativ, pasi ne kemi luftuar për këtë ditë të sotme që të jemi të lirë. Ne nuk kemi bojkotuar festën. Kjo është e pavërtetë e madhe të cilët mendojnë se organizata e veteranëve ka bojkotuar festën. Kjo nuk është e vërtetë”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari tha se Kurti nuk ka qenë bashkëpunues me veteranët, përkundër gatishmërisë së tyre për një gjë të tillë.

Jashari: Kurti s’ka qenë bashkëpunues me veteranët

“Që nga ardhja në këtë qeveri të Albin Kurtit, ne i kemi ofruar bashkëpunim, mirëpo s’ka qenë gatishmëria e tij dhe në asnjë kohë dhe asnjë moment nuk jemi ne ata që nuk afrohemi në institucione. Nuk jemi ne ata që i ikim bashkëpunimit, por ne jemi për bashkëpunim. Në këtë rast dua t’i shtroj disa pyetje. Të gjithë e dimë që ndihen krenarë, por si ndihen ata të cilët kanë bashkëpunuar me Listën Serbe dhe kriminelin Radoiçiq për t’i goditur veteranët? Si ndihen ata që gjatë fushatës vijnë në këtë vend që çdo herë ka qenë vatër e zjarrit për lirinë e vendit dhe ngritin tre gishtërinjtë? Po ashtu në një kohë kur pezullohen të gjitha aktivitetet për shkak të një aksidenti tragjik ku humbën jetën tre qytetarë. Kjo parti vjen dhe i ngrit tre gishtërinj dhe provokon qytetarët në sheshin ‘Adem Jashari’? Si ndihen ata të cilët kanë deponuar dhe dorëzuar në Gjykatën Speciale të gjithë ato të pavërteta ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Normal se sot na mungojnë fizikisht Hashim Thaçi që ka lexuar deklaratën e Pavarësisë ku sot festojmë 17 vjetorin e shpalljes shtet. Hashimi dhe të tjerët duhet të mbajnë kokën lartë që kanë qenë udhëheqës të luftës së lavdishme të UÇK-së. Të gjithë ata që e godasin luftën dhe shpifin për luftën duhet të ndihen të turpëruar për vetën”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat