​Emocione dhe krenari, rrëfimi i ish-ushtarit të UÇK-së për ditën e pavarësisë

Aktuale

​Emocione dhe krenari, rrëfimi i ish-ushtarit të UÇK-së për ditën e pavarësisë

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 14:14
Ushtarë

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Kajtazi nga Drenica ishte 16-vjeçar kur mori vendimin për t'iu bashkuar luftës çlirimtare në mbrojtje nga Serbia pushtuese.

Ai e nisi luftën me një pushkë gjuetie, ditën kur u rrethua Prekazi legjendar më 5 mars të vitit 1998.

27 vjet më pas, ai në Prekaz vjen bashkë me shokët tjerë të luftës për të nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe komandantit legjendar Adem Jashari.

Ai kujton 17 shkurtin e vitit 2007, kur Kosova u shpall shtet i pavarur.

Kajtazi: Uroj që për mijëra vjet ta festojmë atë ditë

“Nuk do ta harrojë asnjëherë atë ditë, isha i angazhuar në pritje në atë kohë të kryeministrit që e shpalli pavarësinë dhe e pritnim të vinte në Skenderaj, ka qenë një ditë e ftohtë në aspektin e motit por aq e nxehtë në aspektin e dashurisë për vendin edhe ditës dhe datës që vërtetë ka lënë mbresa për gjithmonë dhe uroj që për mijëra vjet ta festojmë atë ditë, atë datë dhe në vazhdimësi 17 shkurtin ta festojmë me plot dashuri dhe respekt e kujtim për gjithë ata që ranë për këtë ditë”, thotë ai për KosovaPress.

Si një nga ushtarët e rinj të UÇK-së, ai tregon se si kishte vendosur që t'i bashkohet luftës çlirimtare.

Kajtazi: Kam qenë një prej ushtarëve më të rinj në brigadën 112

“Unë gjatë luftës kam qenë një prej ushtarëve më të rinj në brigadën 112, realisht kam qenë 16-vjeç që e kam marrë pushkën. Por realisht nuk kam qenë ai që e kam marrë atë guxim ose atë trimëri por një brum i gatuar me kohë prej familjes, prej shoqërisë, prej vendit ku jetojë, e kanë bërë që unë të dalë prej vetvetes ashtu edhe si shumë të rinj tjerë, të cilët nuk e kanë ndjerë frikën. Ndoshta më shumë frikohemi sot për ato ditë se sa atëherë që jemi frikuar. Realisht e kemi parë të rrugës, të nevojshme dhe sublimojë me një krenari tepër të madhe që sot edhe zogjtë e malit qe jetojnë në natyrë e ndjejmë si barrë mbi supet tona sot këndojnë nga vlera jonë shoqërore, nga vlera e luftës çlirimtare. Nuk ka qenë e lehtë por ka qenë ditë dhe vendim i duhur për kohën kur ka pasur nevojë vendi jonë", rrëfen ai.

Mes emocioneve, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se 17 shkurti është prej datave me të rëndësishme për vendin.

Kajtazi: Nuk ndihemi bash të plotë pa prezencën e krerëve të UÇK-së

"Është një prej datave më të rëndësishme të vendit tonë, të Kosovës tonë, sepse sublimojë mbi gjithë atë sakrificë shekullore, të njerëzve tanë, të dëshmoreve, të martirëve. Mbi një sakrificë vërtetë të rëndë e të gjatë ndër breza, prandaj sot është një festë e madhe për vendin tonë, sot është një ditë që duhet t'i nderojmë ata që na e bënë të mundshme këtë festë, këtë gëzim. Nuk ndihemi bash të plotë pa prezencën e krerëve të UÇK-së që mbahen padrejtësisht në Hagë dhe sot i mungojnë kesaj date", deklaron ai.

Në 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në kompleksin memorial "Adem Jashari" me qindra qytetarë kanë bërë homazhe në nderim të familjes Jashari. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat