Me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, qytetarët shprehen krenarë për arritjet e vendit, ndërkohë që theksojnë rëndësinë e vazhdimit të punës për përmirësimin e shtetit.
Fatmir Hasani, një qytetar i ardhur nga mërgata, theksoi se është një gjeneratë e fatit që mund të festojë pavarësinë, duke e vlerësuar shumë sakrificën e paraardhësve.
“Jemi krenar dhe jemi me fat, jemi gjeneratë me fat që na ka ardhur mundësia që të festojmë pavarësinë e Kosovës. Me gjenerata prej nga Skënderbeu gjenerata që ka sakrifikuar jetën dhe në jemi një gjeneratë shumë me fat. Përndryshe ne kemi ardhur nga mërgata, nga Gjermani dhe Zvicra, jam që 40 vite dhe kemi ardhur për festimin e Pavarësisë së Kosovës. Krenar ndihem, por si popull e ndjejmë shtetin dhe pavarësinë dhe është shumë me rëndësi”, tha Hasani.
Ndërkaq, Zeqir Baxhaku shprehu krenarinë për fitoret, por po ashtu bëri thirrje për përparim të mëtejshëm.
“Po e festojmë si më së miri, ndihemi krenar, çdo luftë i ka pasojat e veta, për çdo fitore dihet se jemi krenar. Me keqardhje po përparojmë pak por siç duhet jo”, ka thënë Baxhaku.
Jahir Gashi shprehu gëzim për arritjet, por edhe një shqetësim për punën që mbetet ende për t’u bërë, duke theksuar se duhen lënë inatet dhe të punohet për shtetin, jo për pushtetin.
“Këtë festë e përjetojmë me shumë kënaqësi e gëzim jemi shumë të kënaqur sidomos gjenerata ime që kemi pritur këtë festë, këtë pavarësi. Kanë kaluar gjeneratë e gjenerata për këtë ditë që sot të jemi të gëzuar. Jemi krenar, por nuk jemi të kënaqur me gjithë atë arritje, ne po presim që të bëhet edhe më mirë. Kemi mundur të arrijmë më shumë, më duket se nuk ia dimë vlerën atyre që dhanë gjakun për lirinë, por është dashur ende të punohet. Sepse ne jemi një popull që kemi vuajtur shumë. Kemi sakrifikuar shumë dhe për këtë duhet me punuar dhe me i lënë inatet mes vete, që të punohet për shtet e jo për pushtet. I mbajë mend të gjitha ngjarjet dhe skenat e luftës, më kujtohet shumë mirë maltretimet. Sot jemi të lirë me festuar dhe kjo është kënaqësi”, ka thënë ai.
Pavarësisht sfidave, qytetarët shpresojnë për një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme.