Nga Kosova e matanë kufirit, me qindra qytetarë po bëjnë homazhe në kompleksin memorial "Adem Jashari" në Prekaz. Nën tingujt patriotik, me ngjyrat e flamurit kombëtar e të Kosovës, në këtë vend legjendar sot po shënohet 17-vjetori i pavarësisë së Kosovës.
Haki Gërguri nga Fieri i Shqipërisë thotë se gjaku i familjes Jashari nuk duhet të keqpërdoret nga pushtetarët.
Gërguri: Gjaku i Jasharëve nuk duhet të shkelet edhe të keqpërdoret
"Gjaku i Jasharëve nuk duhet të shkelet edhe të keqpërdoret nga mandatet e pushtetarëve. Një njeri që ka luftuar, tërë populli shqiptar në përgjithësi ka kontribuar, qoftë ato nëna që kanë gatuar për ushtarët, ato vëllezër e motra që e kemi një gjak, kontribut quhet ai që e ka luajtur gishtin. Kjo luftë mendoj, Prekazi është djepi i trimave, është djepi i lirisë. Kemi ardhur ne të “vdekurit” me i pa të “gjallët”, në një ditë do të vdesim ndoshta nuk do të shkruhet asgjë për ne, por ata nuk kanë vdekur dhe nuk do të vdesin kurrë sepse me qindra vite do të kujtohen për kontributin që kanë dhënë", shprehet ai.
E Dife Vladi nga Vlora, rreth të 70-tave, për herë të parë viziton Prekazin legjendar.
Vladi: Shumë e lumtur, jemi vëllezër
"Shumë e lumtur, shumë mirë. Ne jemi vëllezër...në këtë vend vijmë për herë të parë", shprehet ajo.
Në datat historike për shtetin e Kosovës, Nazif Visoqi vjen nga Istogu në Prekaz, për të nderuar sakrificën e familjes heroike.
Visoqi: Prekazi, vend i shenjtë për gjithë kombin shqiptar
"Ky vend për neve është vend i shenjtë për gjithë kombin shqiptar.... e kujtoj [pavarësinë] me kënaqësinë më të madhe që e kemi fituar lirinë falë gjakut të dëshmorëve, së pari familjes Jashari, gjithë të tjerëve dhe dëshmorëve të kombit", thotë ai.
Megjithatë, ai konsideron se nuk është arritur amaneti i dëshmorëve të rënë.
Visoqi: Ende ky popull, ky komb ende ka përçarje
"Ende ky popull, ky komb ende ka përçarje. Është dashur që sa më fort të afrohemi dhe të duhemi sa më shume mes vete dhe ta luftojmë të keqen", shton ai.
Homazhe në Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz kanë bërë edhe krerët e shtetit dhe liderë të partive politike në vend.