Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka kujtuar sakrificat e gjithë atyre që luftuan për lirinë dhe të drejtën tonë për të jetuar të lirë dhe të pavarur.
Hoti përmes një postimi në Facebook thotë që ndërsa festojmë këtë ditë historike, nuk mund të harrojmë ata që ende nuk janë rikthyer pranë familjeve të tyre, përcjell “Bota sot”.
Në përpjekje për të vënë drejtësinë në vend dhe për të zbardhur të vërtetën, Qeveria e Kosovës ka dërguar një letër drejtuar Përfaqësuesës së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Nënkryetare e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat shtetërore të saj, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës, shkruan tutje Hoti.
Në letër, kërkohet:
– Hapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të arkivave shtetërore të Serbisë, të cilat përmbajnë informacione kyçe mbi vendndodhjen e të zhdukurve.
– Bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rolit të forcave paramilitare dhe bashkëpunëtorëve serbë, të cilët, me mbështetjen e regjimit të Millosheviqit, ekzekutuan dhe zhdukën mijëra shqiptarë.
– Llogaridhënie për refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për të dorëzuar informacion mbi varrezat masive të njohura brenda territorit të saj.
Postimi i plotë
17 vjet Shtet! Përjetësisht të lirë dhe të pavarur! 🇽🇰✨
Sot, në 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kujtojmë me krenari sakrificat e gjithë atyre që luftuan për lirinë dhe të drejtën tonë për të jetuar të lirë dhe të pavarur. Kjo ditë është dëshmi e forcës, qëndresës dhe aspiratës sonë të palëkundur për të ndërtuar një shtet demokratik, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët tanë.
Ndërsa festojmë këtë ditë historike, nuk mund të harrojmë ata që ende nuk janë rikthyer pranë familjeve të tyre. 1,591 qytetarë të Kosovës vazhdojnë të jenë të zhdukur për shkak të krimeve të planifikuara, të orkestruara, dhe të kryera nga Serbia gjatë luftës së vitit 1998-1999.
Në përpjekje për të vënë drejtësinë në vend dhe për të zbardhur të vërtetën, Qeveria e Kosovës ka dërguar një letër drejtuar Përfaqësuesës së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Nënkryetare e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat shtetërore të saj, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës. Në këtë letër, kemi kërkuar:
- Hapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të arkivave shtetërore të Serbisë, të cilat përmbajnë informacione kyçe mbi vendndodhjen e të zhdukurve.
- Bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rolit të forcave paramilitare dhe bashkëpunëtorëve serbë, të cilët, me mbështetjen e regjimit të Millosheviqit, ekzekutuan dhe zhdukën mijëra shqiptarë.
- Llogaridhënie për refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për të dorëzuar informacion mbi varrezat masive të njohura brenda territorit të saj.
Pavarësia jonë është arritur me sakrifica të mëdha dhe ne nuk mund të lejojmë që viktimat e gjenocidit të harrohen apo të mohohet e drejta e familjeve për të ditur të vërtetën. Serbia vazhdon të mohojë përgjegjësinë e saj dhe të sabotojë përpjekjet për drejtësi, duke refuzuar të zbulojë të dhënat mbi vendndodhjen e të zhdukurve. Kosova ka ndërtuar paqen mbi drejtësinë dhe të vërtetën, dhe nuk do të ndalemi deri sa secili i zhdukur të kthehet tek familja e tij dhe Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera.
Lavdi të rënëve për liri! Nderim për të zhdukurit me dhunë! Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! 🇽🇰❤️💙