​Kurti: Krimet e luftës nuk mund të mbeten në heshtje

Aktuale

​Kurti: Krimet e luftës nuk mund të mbeten në heshtje

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 18:14
Albin Kurti

“Për të siguruar paqe të qëndrueshme në Ballkan duhet të krijojmë një bazë të fortë të së vërtetës historike të dokumentuar me metodologji profesionale dhe të pranuar ndërkombëtarisht”. Kështu u tha në konferencën e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e cila synon të rrisë vetëdijen globale për pasojat e luftës në Kosovë dhe domosdoshmërinë për drejtësinë për viktima.

Kjo konferencë e cila u zhvillua po ashtu në kuadër të Ditës së pavarësisë së Kosovës, ka për qëllim të dokumentojë të gjitha krimet e ndodhura gjatë luftës në Kosovë.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se shteti i Kosovës mbetet i palëkundur për të zbardhur të vërtetën, për të ruajtur kujtesën kolektive, dhe për të garantuar që drejtësia do të vihet në vend.

“Kosova ka përjetuar një periudhë të errët, me dhunë, me krime të rënda të luftës, dhe krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat e ndryshme të armatosura të shtetit të njëjtë, Serbisë. Populli ynë i ka mbijetuar gjenocidit, spastrimit etnik, dhe shkatërrimeve masive. Me mijëra të vrarë, të zhdukur e të dëbuar, me viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale, me dënime të pamatshme materiale e shpirtërore, pasojat e luftës ndjehen ende. Familjarët e viktimave e dinë dhembjen më mirë se kushdo, çdo ditë jetojnë me kujtimet që dhembin, me mungesën që nuk mbushet. Krimet nuk mund të mbesin në heshtje e as të mbulohen me harresë. Andaj, po vazhdojmë të flasim, të shkruajmë dhe të dëshmojmë, derisa çdo krim të dokumentohet, e ndëshkohet, derisa çdo viktimë të ketë drejtësi. Shteti i Kosovës mbetet i palëkundur për të zbardhur të vërtetën, për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të garantuar që drejtësia do të vihet në vend”, tha Kurti.

Drejtori ekzekutiv në këtë institut, Atdhe Hetemi derisa ka treguar rëndësinë e dokumentimit dhe hulumtimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, e ka konsideruar këtë konferencë si një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Ai theksoi se hapja e ngjarjes më 17 shkurt, ditën e pavarësisë së Kosovës, nuk ishte rastësi, por një dëshirë për të rikujtuar se dokumentimi i krimeve të luftës jo vetëm që forcon legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës, por gjithashtu dërgon një mesazh të qartë për domosdoshmërinë e njohjes dhe fuqizimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Shënon një hap të rëndësishëm në dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Kjo konferencë është e veçantë për disa arsyeje, së pari hapet me 17 shkurt, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, kjo nuk është rastësi, por dëshirë që të rikujtojmë se dokumentimi i krimeve të luftës jo vetëm që forcon legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës, por edhe dërgon një mesazh të qartë mbi domosdoshmërinë e njohjes dhe fuqizimit të vendit tonë. Vetëm përmes dokumentimit të mirfilltë, dhe ndërgjegjësimit të opinionit ndërkombëtar dëshmojmë se shteti i Kosovës nuk është krijuar si një akt i thjeshtë juridik apo politik, por si përgjigje ndaj padrejtësive dhe krimeve të krimeve të rënda të kryera ndaj qytetarëve. Si dhe dëshmojmë që megjithëse përgjatë procesit të shtet krijimit e kemi pasur ndihmën e miqve tanë ndërkombëtar, por, megjithatë dhimbjen e sakrificës për këtë shtet e përjetuam dhe përballuam ne. Andaj, është detyrë e jona, që të sigurohemi që e vërteta të ruhet, mbrohet dhe kujtohet vazhdimisht...Përmes dokumentimit shkencor e bashkëpunimit me akademik vendor e ndërkombëtar rrisim vetëdijen globale për pasojat e luftës në Kosovë dhe domosdoshmërinë për drejtësinë për viktimat, sepse vetëm kur bota e kupton thellësisht tmerrin e luftës mund të ndërmarrë hapa konkret për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të ngjashme në të ardhmen”, tha Hetemi.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Institutin për Krimet e Luftës. Ai theksoi se dokumentimi i krimeve të luftës dhe ruajtja e së vërtetës historike janë të domosdoshme për të siguruar një paqe të qëndrueshme në rajon.

“Universiteti i Prishtinës, mëton të luaj rol qendror në hulumtimin dhe analizimin e periudhave kritike të historisë tonë. Në këtë drejtim bashkëpunimi ynë me institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është i një rëndësie të veçantë. Me marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar mes UP-së dhe IKKL-së kemi hapur edhe një horizont shtesë për të hulumtuar dhe për të realizuar kërkime të mirëfillta shkencore si dhe dokumentimin e krimeve të luftës, që duhej të kontribuonin në ndërgjegjësimin, për sensibilizimin e brezave të rinj, për rëndësinë e së vërtetës historike dhe ndriçimin e krimeve që kanë ndodhur në këtë truall, drejt një paqe me shpresë më të qëndrueshme se që e ka përjetuar ky vend”, tha Hajrullahu.

Se kjo konferencë është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të ruajtur kujtesën historike të Kosovës dhe për të garantuar drejtësi për viktimat e luftës e tha edhe doktor, Aidan Hehir nga Universiteti i Westminsterit. Ai ka shtuar se kjo shërben si një pikënisje për hulumtime të mëtejshme dhe do të ndihmojë në mbështetje të njohjes dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës në nivel ndërkombëtar.

“Kur jepja mësim në Universitetin Amerikan në Kosovë rreth viteve 2015-2016, më kujtohet një student i ri shqiptar nga Kosova që më tha: “Pse harxhojmë kaq shumë kohë duke folur për të kaluarën? Kjo është histori e vjetër.” Dhe atëherë mendova: sa shpejt kërkojmë të lëvizim përpara nga këto ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne duhet t’i nderojmë ata që vuajtën, duhet të dokumentojmë krimet e tmerrshme që u kryen kundër tyre. Përndryshe, siç ka shkruar Rozafa Berisha – e cila është një nga kontribuueset në këtë koleksion dhe do të flasë në këtë konferencë – në një artikull të saj: “Harrimi është njësoj si vrasja". Ne duam ta evitojmë këtë, duam të sigurohemi që nuk do t'i harrojmë këta njerëz, tmerret që ata i përjetuan. Dhe kjo nuk është vetëm një detyrë morale. Është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen. Për të dhënë një kontekst pse kjo punë është kaq e domosdoshme, aktualisht, Serbia po angazhohet në revizionizëm në lidhje me atë që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shumë liderë çetnikë tani po rehabilitohen në shoqërinë serbe. Dhe sigurisht, vazhdon mohimi i asaj që ndodhi në Kosovë në vitet 1998-1999. Presidenti Vuçiq mohon, për shembull, masakrën e Reçakut. Po ashtu, vazhdon mohimi për atë që Serbia po bën aktualisht në Kosovë, siç ishte rasti në Banjskë”, tha ai.

17 vite më parë, saktësisht në ora 15:39 në një seancë të Kuvendit të Kosovës u bë shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Në seancën historike morën pjesë 109 deputetë, nga 120 sosh, të cilët e nënshkruan edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetët serb. Shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat