Misioni i BE-së: Transparenca është thelbësore në çdo proces zgjedhor

Aktuale

Misioni i BE-së: Transparenca është thelbësore në çdo proces zgjedhor

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 19:07
Pamje nga takimi

Zëvendëskryetari i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së (MVZ), Thomas Boserup, gjatë një takimi të mbajtur sot me kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka thënë se transparenca është thelbësore në çdo proces zgjedhor.

Gjatë takimit, Radoniqi informoi përfaqësuesit e MVZ-së lidhur me ecurinë e numërimit të votave, duke u fokusuar veçanërisht në zhvillimet në qendrat komunale të numërimit, trajtimin e votave postare të ardhura nga jashtë Kosovës, si dhe votat me kusht.

Ai theksoi angazhimin e KQZ-së për të garantuar një proces zgjedhor transparent dhe të besueshëm për të gjithë qytetarët.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Misionit të BE-së nënvizuan rëndësinë e takimeve të rregullta me institucionet përgjegjëse për zgjedhjet, duke theksuar se mbledhja e informatave nga të gjitha palët e interesuara është një komponent kyç në hartimin e raportit përfundimtar të MVZ-së.

“Ne dëgjojmë të gjitha palët e interesuara dhe takime si ky kontribuojnë në vlerësimin e përgjithshëm dhe raportin përfundimtar të misionit të vëzhgimit”, u shpreh Boserup, duke ritheksuar përkushtimin e BE-së për mbështetjen e proceseve demokratike në Kosovë.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe analistja zgjedhore Marcela Mašková dhe analistja juridike Eirini Skouzou, të cilët janë pjesë e misionit të BE-së për monitorimin e zgjedhjeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat