Osmani, Begaj dhe Kurti theksojnë sakrificat dhe angazhimin për Kosovën
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 17-vjetorit të pavarësisë, ashtu si dhe vitet e kaluara, u mbajt pritja shtetërore. Krerët e shtetit, përfaqësues të institucioneve, ambasadorë të huaj në vend dhe aktorë politikë e të fushave të tjera u mblodhën për të festuar këtë ditë historike për Kosovën.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalës së saj theksoi se kjo ditë është një nga më të rëndësishmet për popullin dhe shtetin e Kosovës. Ajo kujtoi sakrificat e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës dhe theksoi se Republika e Kosovës është dhe do të mbetet një histori suksesi.
"Për 17 vjet kjo ditë shënohet si dita më domethënëse. Sot jemi mbledhur për ta festuar bashkërisht ditën e pavarësisë. Sot në çdo rrugë dhe në çdo shesh triumfon dashuria për Kosovën. E kjo dashuri na ka mbajtur dhe na mban të fortë. 17 vjet më parë Kosova i tha gjithë botës njëzëri se do të jetë gjithmonë e lirë, e pavarur dhe sovrane. Kujtimi për secilin dëshmor të UÇK-së është përgjithmonë i gdhendur. Në këtë përvjetor le të kujtojmë jo vetëm sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për lirinë, por edhe përgjegjësinë që kemi secili për ta ndërtuar një Kosovë që ecën krenare drejt familjes euroatlantike. Kosova është shtëpia jonë, krenaria jonë më e madhe. Krah për krah me aleatët tanë do të ecim përpara. Le ta dëshmojmë para botës se Kosova është dhe do të mbetet histori suksesi", deklaroi presidentja Osmani.
Ndërsa, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, vlerësoi pavarësinë e Kosovës si testament të qëndresës dhe sakrificës së popullit kosovar. Ai nderoi figurat historike të Kosovës, si Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Adem Jashari, dhe të gjithë dëshmorët dhe luftëtarët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
"Pavarësia e Kosovës është testament i qëndresës, amanet i ngadhënjimit të sakrificës dhe besimit në drejtësinë e popullit për të jetuar të lirë," u shpreh ai.
Begaj shtoi se sanksionet e BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen, pasi që janë bërë në mënyrë jo të drejtë. Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria është aleati besnik i SHBA-ve dhe BE-së.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se 17 Shkurti i vitit 2008 shënoi një moment historik për popullin e Kosovës, një ditë që erdhi pas një shekulli qëndrese dhe sakrificash. Ai theksoi se kjo ditë është një mundësi për të kujtuar dhe nderuar të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, përfshirë dëshmorët, të zhdukurit dhe të burgosurit politikë.
"Ne kemi detyrë të përfaqësojmë edhe aspiratën e gjithë atyre që janë përpjekur për krijimin e një shteti sovran. Republika ka dorëzuar aplikimin për tu anëtarësuar në BE, edhe pse 5 shtete anëtare nuk na njohin ne. Kosova mbështet luftën e drejtë dhe mbrojtëse të Ukrainës, edhe pse nuk kemi njohje prej saj. Republika po bën përpjekje maksimale për respektimin e të drejtave të njeriut, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe barazi", theksoi Kurti.