Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në ngjarjen “Kosova bën hapa drejt integrimit evropian” në Kolegjin e Evropës në Natolin, Poloni. Gjatë fjalës së tij, Bislimi theksoi përparimet e Kosovës gjatë 17 viteve të pavarësisë, përfshirë zhvillimin ekonomik dhe progresin në rrugën e integrimit evropian.
Bislimi tha se “për 17 vite, kjo ditë shënohet si dita më domethënëse për historinë e shtetit tonë.” Bislimi shtoi se Kosova ka realizuar progres të dukshëm në fusha të ndryshme, duke përmendur uljen e papunësisë dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.
"Për katër vitet e fundit, Kosova ka përparuar në politikën e integrimit evropian dhe është angazhuar për fuqizimin e grave dhe incentivimin e të rinjve,” theksoi ai.
Zëvendëskryeministri gjithashtu foli për zhvillimet në rajon dhe rëndësinë e bashkëpunimit. “Kosova mbështet luftën e drejtë të Ukrainës, edhe pse nuk kemi njohje prej saj,” tha ai, duke theksuar angazhimin për respektimin e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër korrupsionit.
Në njoftimin e ZKM-së theksohet se Bislimi u mirëprit nga ish-ministrja për Bashkimin Evropian e Polonisë, Ewa Osniecka-Tamecka.