Në shënim të 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës ka vlerësuar lart kontributin e grave për liri e shtetndërtim, duke lansuar, po ashtu, projektin “Zërat e Lirisë: Gratë e UÇK-së rrëfejnë”. Me këtë rast, përmes platformës janë dëgjuar rrëfimet e katër grave të UÇK-së.
“A jam unë më i miri?”, ishte pyetja por edhe fjalët e fundit që dëshmori, Sefedin Vitija i kishte thënë në heshtje nënës së tij, duke kërkuar edhe miratimin e asaj që e kishte sjellë në jetë. Kjo ishte edhe përshëndetja e fundit e djalit të Zymrije Vitijes, e cila po ashtu ishte e angazhuar në UÇK bashkë me tre djemtë e saj.
“Më kanë mbet shumë brenga, se kur ka ardhur dhe më tha nënë ulu këtu, tha nënë më trego drejt diçka, a jam unë ma i miri? I thash: tregomë djali jem cilin fëmijë e kam të keq, se nëntë fëmijë i kam të gjithë jeni të mirë. Jo, jo, a jam unë ma i miri? T’i them këtij je më i miri, thosha me vete, po me hidhërohen të tjerët. Aty e kam brengë, nëse i kam thënë po a jo”, tha nënë Zymrije.
Hyrije Veliu, një tjetër ish-ushtare e UÇK-së, e vlerësoi të rëndësishme platformën për çka tha se këto rrëfime i duhen historisë e gjeneratave.
"Për të kuptuar se çfarë i ka ndodhë kombit tonë, nëpër çfarë ne kemi kaluar, çfarë sakrificash kanë bërë brezat për të arritur deri te kjo ditë. Prandaj unë mendoj që është më rëndësi që iniciativa të tilla të merren edhe në të ardhmen", tha ajo.
Ndërkaq, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, derisa tha se këto gra nuk ishin thjesht mbështetëse e luftës, ato ishin vetë lufta për liri.
“Histori janë edhe qëndresa e tyre, plagët e tyre, humbjet e më të dashurve dhe fitoret e tyre. Ato u ngritën mbi frikën për ti dalë zot atdheut, duke dëshmuar se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës lufta nuk njohu gjini. Njohu vetëm guximin, përkushtimin dhe atdhedashurinë. Në këtë frymë si institucion jemi të vendosur që ky përvjetor të mos jetë thjeshtë një moment kujtese por angazhim i përhershëm”, tha ai.
Rama u zotua se gjatë gjithë vitit përmes projekteve, ekspozitave dhe aktiviteteve të ndryshme do të nderojnë kontributin e grave të luftës.