Gjykimi në Hagë: Thaçi për arsye shëndetësore nuk merr pjesë në seancë, Selimi shfaqet me kollare me motive shtetërore

Aktuale

Gjykimi në Hagë: Thaçi për arsye shëndetësore nuk merr pjesë në seancë, Selimi shfaqet me kollare me motive shtetërore

Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 07:15 Përditësuar në ora: 10:19 më 18.02.2025
Pamje nga seanca

Thaçi nuk merr pjesë në seancë për arsye shëndetësore, Selimi shfaqet me kollare me motive shtetërore

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën, pasi filloi seanca ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), megjithatë ajo shkoi në pushim për arsye se ish-Presidenti, Hashim Thaçi nuk ishte i pranishëm.

Si rrjedhojë, Luka Mishetiq- avokat i tij tha se ai është i njoftuar nga sekretarja se Thaçi nuk do të vijë dhe se nuk di asgjë tjetër.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se i është thënë që nuk është mirë me shëndet dhe se duhej të takohej me një mjek, por që as ai nuk ishte në dijeni që ai nuk do të merrte pjesë.

“I vetmi komunikim, që nuk ka qenë mirë nga shëndeti dhe duhej të takohej me një mjek”, tha ai.

Pas kësaj, Mishetiqit iu kërkua që të komunikojë me Thaçin për të kuptuar nëse do të bashkohet apo do të japë leje që seanca të vazhdojë pa praninë e tij.

Ndryshe, në sallën e gjyqit, Rexhep Selimi u shfaq me një kollare ngjyrë blu, e cila mbante motive shtetërore për nder të përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Jakup Kransniqi dhe Kadri Veseli mbanin kollare të kuqe.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Seanca e këtij procesi gjyqësor pritet të nis sot në orën 9:00.

Ndryshe të enjten ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës dhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi ka përfunduar dëshminë në këtë proces gjyqësor e cila ka zgjatur katër ditë.

Ndërsa, Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në çështjen gjyqësore për krime lufte të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ditë më parë vendosi se deklaratat me shkrim të dy dëshmitarëve dhe një provë materiale shoqëruese mund të pranoheshin si prova, duke theksuar se dëshmitë me shkrim nuk e dëmtonin padrejtësisht Mbrojtjen, sepse Mbrojtja do të ketë mundësinë të marrë në pyetje dëshmitarët për të gjitha aspektet që gjykohen relevante.

"Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Prokurorisë për pranim të një prove materiale sipas rregullës 154 dhe miratoi një kërkesë tjetër për t’i shtuar listës së provave materiale disa dokumente, duke theksuar se Mbrojtja nuk e kundërshtoi këtë", tha sot në konferencën për media, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat