Nga 258 kuti të votimit të rregullta, 7 me kusht dhe 11 nga ekipe mobile sa gjenden në Qendrën Komunale të Numërimit në Sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, deri tani janë numëruar gjithsej 116 kuti me vota të kandidatëve për deputetë. Ndërsa, 11 të tjera janë në proces të numërimit.
Kështu ka bërë të ditur për KP, kryesuesja e Komisionit Komunal Zgjedhor në Prishtinë, Fatmire Bajrami.
Bajrami deklaroi se procesi i numërimit po vijon pa telashe, derisa tregoi se gjatë ditës sot pritet të shtohen edhe katër ekipe tjera për numërim të votave të kandidatëve për deputet, duke u bërë 15 tavolina për numërim.
Kryesuesja e Komisionit Komunal Zgjedhor në Prishtinë, Fatmire Bajrami beson që deri të enjten do të përfundojë numërimi në Qendrën Komunale të Numërimit “1 tetori”.
Ndonëse numërimi i votave të kandidatëve ishte paraparë të nis një ditë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kjo nuk ndodhi për shkak të problemeve teknike.
Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ishin prezent komisionerë dhe vëzhguesve të subjekteve politike.
Në këtë objekt po qëndrojnë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës për të ruajtur rendin.
Më 9 shkurt, qytetarët e Kosovës votuan për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre për katër vitet e ardhshme.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje prinë me 40.83 për qind, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.15 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 17.59 për qind, AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal, renditet subjekti i katërt me 7.47 për qind. Të drejtën e tyre për të votuar e shfrytëzuan mbi 40% e votuesve.