Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati.
Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se në takimin me Prattipatin ka theksuar qëndrimin e tyre të palëkundur për avancimin e vlerave demokratike dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës.
“Sot prita të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, znj. Anu Prattipati. Bashkëbiseduam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 9 shkurtit, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe në forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik Kosovë-SHBA.
Theksova qëndrimin tonë të palëkundur për avancimin e vlerave demokratike dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës. Veçanërisht, rëndësinë e anëtarësimit direkt në NATO përmes Planit Aksional, si rruga më e sigurt për arritjen e objektivave tona strategjike për sigurinë dhe prosperitetin e vendit.
Shpreha mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ka dhënë Kosovës ndër vite. Ky partneritet i fuqishëm përbën garancinë më të mirë për të ardhmen e sigurt të Kosovës dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit”, shkruan Haradinaj.