​Ambasadori Orav zhvillon takime të ndara me opozitën, diskutojnë për zgjedhjet

Aktuale

​Ambasadori Orav zhvillon takime të ndara me opozitën, diskutojnë për zgjedhjet

Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 13:10
Foto nga vendi i ngjarjes

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë Aivo Orav, ka vizituar dy subjektet politike Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku temë kryesore e takimeve ishte procesi zgjedhor në Kosovë.

Subjektet politike treguan se respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.

Sipas njoftimit të PDK-së në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë te procesi zgjedhor dhe rëndësia e përmbylljes së tij në përputhje me standardet më të larta demokratike.

Për Partinë Demokratike të Kosovës, këto zgjedhje përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë tonë dhe një dëshmi e qartë e pjekurisë politike të qytetarëve të Kosovës. Në PDK, ne respektojmë dhe njohim vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës. Urojmë që vendi të ketë sa më shpejt një qeveri të re funksionale, e cila do të adresojë sfidat dhe prioritetet shtetërore me përgjegjësi dhe dinjitet”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Tutje thuhet se PDK mbetet e përkushtuar ndaj një të ardhmeje më të mirë për Kosovën, pavarësisht pozicionit të saj politik.

Ne jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit dhe një qasjeje konstruktive, vendi ynë do të vijojë rrugën e konsolidimit demokratik dhe integrimit euro-atlantik”, thuhet tutje në njoftimin e PDK-së në rrjetin social Facebook.

Edhe LDK ka bërë me dije se kryetari Lumir Abdixhiku në Selinë Qendrore ka pritur në takim ambasadorin Orav.

Gjatë takimit Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin Orav për gjendjen aktuale politike me theks të veçantë lidhur me procesin zgjedhor, si dhe qëndrimet e LDK-së karshi kësaj situate.

Kryetari Abdixhiku theksoi se LDK e respekton në plotni vullnetin qytetar të shprehur gjatë këtij procesi zgjedhor dhe po ashtu pret që Komisioni Qendror Zgjedhor të mbyllë sa më shpejt procesin e numërimit dhe certifikimit të rezultateve, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që ky proces të përfundojë në mënyrë demokratike dhe duke shmangur çdo vonesë tjetër. Në fund kryetari Abdixhiku tha se LDK do të angazhohet për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovë me theks të veçantë në përmbylljen e proceseve të integrimit evropian”, përfundon njoftimi i LDK-së në rrjetin social Facebook.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se ambasadori Orav, konfirmoi edhe një herë rëndësinë e partneritetit me BE-në.

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj shtoi se me ambasadorin bashkëbiseduam rreth procesit zgjedhor të 9 shkurtit dhe hapave të mëtejshëm drejt integrimit evropian.

“Kosova ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në rrugëtimin tonë të përbashkët. Vlerësoj angazhimin e BE-së në forcimin e demokracisë dhe institucioneve tona, duke qenë se proceset zgjedhore të besueshme janë tregues i pjekurisë sonë politike dhe aspiratave evropiane”, ka shkruar haradinaj në rrjetin social Facebook. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat