Bujar Haradinaj, ish-ushtari i UÇK-së ka folur rreth luftës së zhvilluar në Kosovë, duke treguar një detaj se si e kishte shpëtuar Ramush Haradinajn.
Teksa ka luftuar ai është plagosur me 18 plumba, por siç shprehet ai asnjëherë nuk është mposhtur.
Ai ka treguar gjithashtu një moment ku Ramush Haradinaj, tashmë kreu i AAK-së në Kosovë, ka rrezikuar jetën pasi ishte në gjendje shumë të rëndë.
“Ne na ishte ndërprerë komunikimi. Ramushi ishte i plagosur rëndë, nëse do kishte kaluar edhe një orë, Ramushi do kishte ndërruar jetë atë ditë. Nga ora 7 në mbrëmje u ndalën të shtënat. Ne dolëm dhe pamë që forcat serbe kishin lëvizur në heshtje. Ne nuk i dëgjonim më dhe as nuk i pamë më. Me zor jemi dëgjuar me të tjerët në shtëpitë e tjera dhe kemi shkuar gradualisht duke u bashkuar”, tha ai për Euronews Albania.
Tutje ai ka thënë se “ishte një mur diku 1 metër e gjysmë dhe ishte problem që Ramushi duhet të kalonte”.
“Ata nga ana tjetër nuk e dinin që Ramushi ishte i plagosur. Unë mundohesha ta shtyja, por s’kishe ku ta kapje, se ishte i plagosur rëndë. Ai më tha; ‘veç më shty andej’. Janë bashkuar gjithë familja dhe u munduam të dilnim nga rrethimi, fatmirësisht ishin larguar forcat serbe dhe ne kemi arritur ta shoqërojmë Ramushin deri në Jabllanicë, ku kemi thirrur një mjek dhe i ka dhënë ndihmën e parë”, tha ish-ushtari i UÇK-së.