Kaq milionë euro u paguan nga buxheti i Kosovës në vitin 2024 për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

Aktuale

Kaq milionë euro u paguan nga buxheti i Kosovës në vitin 2024 për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 06:36
Ish-pjesëtarët e UÇK-së

Për mbrojtjen e të akuzuarve të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë dhe vizitat familjare, Republika e Kosovës gjatë vitit 2024 ka paguar 6 milionë e 786 mijë e 700 euro, duke mos e kaluar buxhetin e ndarë për këtë vit- shumë e cila ishte 6 milionë e 850 mijë euro.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar nga Ministria e Drejtësisë informacione lidhur me pagesat që janë ekzekutuar për mbrojtjen e të akuzuarve gjatë vitit 2024, e nga të cilat ish-krerët e UÇK-së kanë shpenzuar (secili veç e veç) nga një milion e 320 mijë euro, përveç për mbrojtjen e Kadri Veselit, për të cilën janë shpenzuar 10 mijë euro më pak.

Për mbrojtën e Pjetër Shalës, janë shpenzuar 865 mijë euro, ndërsa për atë të Salih Mustafës 440 mijë euro.

Për të akuzuarit për pengim të drejtësisë (Haxhi Shala, Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi), të cilët së fundi kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar, përveç Ismet Bahtijarit, Ministria e Drejtësisë nuk ka ofruar të dhëna ndonëse “Betimi për Drejtësi” ka ripërsëritur disa herë kërkesën. Sipas MD-së, për mbrojtjen e Ismet Bahtijarit janë shpenzuar 8 mijë euro.

Po ashtu, as për Isni Kilajn nuk ka informacion nëse mbrojtja e tij është paguar nga buxheti i Kosovës.

Ndërsa për vizitat familjare, nga buxheti i Kosovës më së shumti janë shpenzuar për Jakup Krasniqin. Shpenzimet për këto vizita kanë shkuar në 31 mijë e 325 euro e 28 centë. Për atë të Rexhep Selimit janë shpenzuar 28 mijë e 720 euro e 95 centë. Për atë të Haxhi Shalës janë shpenzuar 27 mijë e 928 euro e 33 centë. Kurse, për familjen e Kadri Veselit janë shpenzuar 24 mijë e 412 euro e 76 centë për vizitat në Hagë.

Për nga lartësia e shpenzimeve për vizitat familjare, i radhës është Ismet Bahtijari, i cili ka shpenzuar 17 mijë e 640 euro e 62 centë, duke e pasuar më pas Sabit Januzi me 17 mijë e 15 euro e 89 centë.

Kurse, 15 mijë e 340 euro e 99 centë janë shpenzuar për vizitat familjare për Salih Mustafën. Ndërsa, Isni Kilaj për vizitat familjare i ka shpenzuar vetëm 11 mijë e 247 euro e 13 centë, duke e lënë të fundit në listën e shpenzimeve Pjetër Shalën me 10 mijë e 518 euro e 20 centë.

Por, për familjarët e Thaçit nuk është dhënë ndonjë informacion nga MD-ja nëse ata kanë shfrytëzuar këtë të drejtë.

Në total, për vizitat familjare të të pandehurve të lartpërmendur në Hagë, janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 184 mijë e 152 euro e 15 centë.

Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.

Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.

Ndryshe, përmes Udhëzimit Administrativ MD nr. 01/2024 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ MD nr.08/2022 për Mbrojtjen Juridike të Personave të Akuzuar Potencial për Krimet e Pretenduara në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara i cili ka hyrë në fuqi në shkurt të 2024-ës janë ndryshuar tarifat për ekipet e mbrojtjes.

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).

Gjatë 2024-ës në proces ishin katër raste, kurse një tjetër filloi në fund të vitit kundër administrimit të drejtësisë.

Rasti i ish-krerëve të UÇK-së (Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit) është në proces të gjykimit dhe në fazën e paraqitjes së provave nga Prokuroria.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga ana e ZPS-së se ndërmjet marsit të vitit 1998 e deri në shtator 1999, kanë kryer krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave që konsideroheshin si kundërshtarë. Rasti i katërshes së UÇK-së është në gjykim.

Ndonëse vendimet ende nuk kanë marrë formën e prerë, Pjetër Shala u dënua me 18 vjet burgim nga Themelorja. Kurse, Salih Mustafës – Calit, Supremja ia ktheu rastin sërish në Apel, duke ia ulur dënimin nga 22 në 15 vjet burgim.

Më 16 korrik 2024, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim, ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës. Ai u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Në seancën e 29 nëntorit 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguajë 208 mijë euro si zhdëmtim ndaj viktimave. Tani ai është në proces të apelit lidhur me këtë rast.

Ndërsa, aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

Kurse, Gjykata e Apelit të Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.

Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 14 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Ndërsa, më 29 korrik, Supremja e miratoi pjesërisht kërkesën e Mustafës dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të Apelit lidhur me dënimin prej 22 vitesh burgim, duke kërkuar një dënim të ri për të pandehurin. Në shtator 2024, Apeli në rivendosje e dënoi Mustafën me 15 vite burgim.

Rast i Mustafës është sërish në proces tek Supremja. Mustafa përmes mbrojtjes së tij ka kërkuar që të ulet dënimi për vrasjen e paligjshme dhe si rrjedhojë të ulet dënimi përfundimtar ndaj tij, me arsyetimin se shumica e jurisprudencës në Kosovë lidhur me të njëjtin krim është shumë më e butë duke marrë parasysh edhe faktin që ai nuk u gjend fajtor direkt për këtë vepër.

Ndryshe, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Kur u vendos në Apel për këtë rast, nuk u shqyrtua fare urdhri për zhdëmtim, pasi sipas trupit gjykues, pala nuk e kishte apeluar atë.

Në vitin 2024 Sabit Januzi, Haxhi Shala dhe Ismet Bahtijari pranuan fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe atë të frikësimit, përmes një marrëveshjeje të arritur në mes tyre dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Kështu, më 2025 u shpall aktgjykimi ndaj tyre.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar në dhjetor 2024 njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit dhe kjo është konfirmuar nga gjykatësja e procedurës paraprake në DhSK

Në bazë të saj, më 5 dhjetor është arrestuar Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, të cilët një ditë pas u transferuan në Hagë. Kurse, për Hajredin Kuçin ishte lëshuar fletëthirrje për paraqitje në DhSK.

ZPS-ja pretendon se individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Paraqitja e parë e Thaçit, Smakajt dh Fazliut është bërë me 8 dhjetor 2024. Ndonëse nuk u deklarua për fajësinë ose pafajësinë në këtë çështje, Thaçi tha se e di që Kosova është në prag të zgjedhjeve elektorale dhe ai nuk paraqet rrezik politik për askënd. Po ashtu, as Smakaj nuk ishte deklaruar, duke kërkuar që ta shfrytëzojë afatin kohor. Megjithatë, mbrojtja kishte kërkuar lirim me kusht, duke ofruar 5 mijë euro dorëzani, gjë e cila është refuzuar nga gjyqtarja dhe rrjedhimisht ai ka mbetur në paraburgim.

E njëjta gjë ishte vendosur edhe për Fadil Fazliun, ndonëse ai ofroi 2 mijë e 540 euro dorëzani dhe se u deklarua i pafajshëm.

Të pafajshëm u deklaruan edhe Hajredin Kuçi dhe Isni Kilaj gjatë seancave të 9 dhjetorit 2024. Por, Kilaj mbeti në paraburgim, duke iu refuzuar dorëzania në vlerë 40 mijë euro.

As në konferencën e parë mbi ecurinë e çështjes, të mbajtur më 17 dhjetor 2024, Smakaj dhe Thaçi nuk u deklaruan. Megjithatë, Thaçi nënvizoi se dy aktakuzat nga Specialja i janë ngritur afër zgjedhjeve. E para kur do të rizgjidhej sërish President dhe e dyta në prag të zgjedhjeve elektorale.

Kujtojmë se më 13 maj 2024, Isni Kilaj ishte liruar nga paraburgimi pas arrestimit më 2023-ën. Ai ishte liruar nën masa të rrepta të sigurisë dhe me një dorëzani prej 30 mijë eurove.

Nën dyshimet për pengim të drejtësisë, në mars të 2024-ës ishte bastisur edhe shtëpia e Sylejman Selimit e po ashtu i ishte konfiskuar telefoni Sami Lushtakut. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat